Këshilli ekonomik-social: Nuk ka marrëveshje për rritje të jashtëzakonshme të pagës minimale
Siç edhe pritej, punëdhënësit dhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë nuk u morën vesh për rritjen e pagës minimale para harmonizimit ligjor në mars. Po ashtu, siç pritej, edhe Qeveria e përsëriti qëndrimin se është për një pagë minimale më të lartë, por vetëm nëse sindikatat dhe punëdhënësit bien dakord. Në LSM mungesa e zgjidhjes nuk u pëlqeu dhe paralajmëruan se nëse deri në Vitin e Ri nuk ka marrëveshje, do të ketë protesta.
Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi thotë se në Këshillin ekonomik-social janë paraqitur të gjitha argumentet pro dhe kundër një page minimale më të lartë. LSM thotë se ajo është më e ulëta në rajon, ndërsa Durmishi se jemi më mirë se Bullgaria dhe Turqia. Por, punëdhënësit kanë prezantuar të dhëna se profitabiliteti i kompanive vendore sillet nga 2 deri në 5 për qind dhe se nuk mund të rritet paga minimale. Sipas disa përllogaritjeve, nëse kompanitë heqin dorë nga profiti, respektivisht të punojnë pa fitim, paga do të ishte diçka mbi një mijë euro.
“Sipas indikatorëve tanë, në këto kushte ekonomike nuk ka arsyetim për rritje intervenuese të pagës minimale para harmonizimit të rregullt në muajin mars, i cili është i përcaktuar qartë me Ligj dhe që do të jetë ndërmjet 1.500 deri në 2.000 denarë. Më saktë do ta dimë pas Vitit të Ri, kur do t’i kemi të gjitha të dhënat dhe përllogaritjet do të tregojnë saktësisht se sa do të jetë paga minimale, respektivisht nga muaji mars kur do të harmonizohet”, theksoi minsitri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Por, janë paraqitur edhe ide të tjera, ndër to edhe që paga minimale të rritet, por kontributet për rritjen për një periudhë të caktuar t’i paguajë qeveria.
“Një nga propozimet e Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë në kuadër të Ligjit për Marrëdhënie Pune është që të zgjerohet negocimi kolektiv, me ç’rast të përfshihet edhe paga minimale, veçanërisht në sektorë të caktuar. Propozimi ynë është se me negocimin e pagës minimale në sektorë të caktuar mund të zvogëlohen edhe keqpërdorimet, kështu që topi është mes sindikatave dhe punëdhënësve”, u shpreh Mile Boshkov – Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.
Nga LSM i akuzuan sindikatat e tjera se e kanë mbrojtur Qeverinë dhe punëdhënësit dhe për këtë arsye i thirrën të gjithë punëtorët që të japin mbështetje për hapat e ardhshëm të kësaj sindikate./TV21

