Mickoski: Fillon investimi prej 21 milionë eurosh për blerjen e lokomotivave të reja elektrike me mbështetjen e BERZH-it (VIDEO)
Qeveria po nis një investim prej 21 milionë eurosh në transportin hekurudhor për blerjen e deri në pesë lokomotivave të reja elektrike, me mbështetje financiare nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, investimi do të realizohet përmes një marrëveshjeje huaje ndërmjet MZ Transport dhe BERZH-it, pas një analize të detajuar që ka treguar se mungesa e lokomotivave funksionale ka qenë pengesë serioze për rolin ekonomik të hekurudhës.
Mickoski theksoi se gjendja e trashëguar ka qenë tejet e rëndë, duke rikujtuar se deri së fundmi MZ Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale dhe mbi 20 trena ndërkombëtarë mallrash ishin bllokuar në Gjevgjeli, gjë që kishte shkaktuar humbje të kontratave dhe të ardhurave.
Ai bëri të ditur se nga korriku deri në shtator 2024 janë rikthyer në funksion pesë lokomotiva, ndërsa deri në shkurt 2025 gjithsej dhjetë nga 46 lokomotivat ekzistuese, duke e cilësuar këtë si hapin e parë drejt stabilizimit të sektorit.
“Moshta mesatare e lokomotivave dizel është mbi 60 vjet, ndërsa e atyre elektrike mbi 40 vjet, gjë që nuk është e qëndrueshme as ekonomikisht, as nga aspekti i sigurisë dhe mjedisit”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se blerja e lokomotivave të reja elektrike do të rrisë kapacitetin për transport mallrash, të ardhurat dhe stabilitetin financiar të MZ Transport, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes përmes transportit me emetime zero.
Kryeministri informoi gjithashtu se kanë filluar punimet ndërtimore për Linjën 1, të njohur si treni urban, me vlerë kontrate prej 360 milionë denarësh, si dhe se ndërtimi i hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 mbetet një prioritet strategjik, i mbështetur përmes marrëveshjes për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Mickoskit, këto projekte përfaqësojnë një rindërtim sistematik të sektorit hekurudhor dhe një investim të drejtpërdrejtë në ekonominë, ekologjinë dhe të ardhmen evropiane të vendit.




