RajoniTop Lajme

Kryeministri në detyrë Kurti vizitoi Postën e Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi në ditën e fundit të vitit Postën e Kosovës.

Pas takimit me kryeshefen e Postës, Nora Rracin dhe Bordin e Postës, kryeministri Kurti në një prononcim për media, tha se Posta e Kosovës, këtë vit po e mbyll me rreth një milion euro fitim, pas vitit të kaluar kur ishte afër 300 mijë euro fitim.

“Posta e Kosovës i ka rreth 850 punëtorë, nga të cilët më shumë se gjysma janë postierë ose sportelista dhe përveç kësaj është për t’u përshëndetur fakti që po zgjerohet rrjeti i zyrave dhe i shërbimeve postare. Gjithsej i kanë në Kosovë 166 zyra, prej të cilave 16 janë në veri të Ibrit në Republikën e Kosovës,” tha kryeministri.

Ai shtoi se “janë ndërprerë rrjedhjet financiare, janë shuar strukturat ilegale. Nuk operon më në Kosovë as Posta e Serbisë dhe as kursimorja postare e Serbisë, dinari nuk është më mjet pagese dhe nuk ka pasur vakum, sepse Posta e Kosovës ishte aty, që t’i ofrojë të gjitha shërbimet, të cilat dikush konsideronte se mund të mungojnë atëherë kur ndërpritet ilegaliteti që kishim në të kaluarën.”

Duke i falënderuar të gjithë punëtorët, të cilët shërbejnë anembanë komunave të Kosovës, kryeministri shtoi se Posta e Kosovës është shërbim publik universal, i shpejtë, i sigurt dhe i lirë.

Nga ana e saj, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dha një pasqyrë të përgjithshme financiare, ku ceku se prej ndarjes nga Telekomi i Kosovës në vitin 2012, vazhdimisht Posta ka operuar me humbje, deri në 4 milionë në vit, dhe ka akumuluar mbi 24 milionë euro humbje, ndërkohë që në dy vitet e fundit, Posta ka rreth 1.3 milionë euro fitim e që pritet të rritet edhe në vitet e ardhshme.

Kryeshefja Nora Rraci theksoi se Posta e Kosovës ka arritur të investojë 1.6 milionë euro në mjete të punës dhe infrastrukturë logjistike. Janë blerë motoçikleta e furgonë të rinj, ndërsa janë në pritje të veturave të reja, të cilat do rrisin efikasitetin në logjistikë dhe ofrojnë kushte të dinjitetshme për korrierët e Postës.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Të nderuar gazetarë dhe ju të tjerë të pranishëm,

Ju faleminderit shumë që na jeni bashkuar sot në mëngjes në vizitën tonë si Qeveri në detyrë, unë si kryeministër dhe znj. Artane, si ministre e Ekonomisë, në Postën e Kosovës, me ç‘rast bashkëbiseduam hapur, gjerë e gjatë për sukseset e kësaj ndërmarrje publike, e cila këtë vit po e mbyll me rreth një milion euro fitim, pas vitit të kaluar kur ishte afër 300 mijë euro fitim.

Posta e Kosovës i ka rreth 850 punëtorë, nga të cilët më shumë se gjysma janë postierë ose sportelista dhe përveç kësaj është për t’u përshëndetur fakti që po zgjerohet rrjeti i zyrave dhe i shërbimeve postare. Gjithsej i kanë në Kosovë 166 zyra, prej të cilave 16 janë në veri të Ibrit në Republikën e Kosovës.

Janë ndërprerë rrjedhjet financiare, janë shuar strukturat ilegale. Nuk operon më në Kosovë as Posta e Serbisë dhe as kursimorja postare e Serbisë, dinari nuk është më mjet pagese dhe nuk ka pasur vakum, sepse Posta e Kosovës ishte aty, që t’i ofrojë të gjitha shërbimet, të cilat dikush konsideronte se mund të mungojnë atëherë kur ndërpritet ilegaliteti që kishim në të kaluarën.

Unë dua ta përgëzoj menaxhmentin, Bordin, por edhe të gjithë punëtorët e Postës së Kosovës për këto suksese.

Gjithashtu, duhet përmendur edhe faktin që Posta e Kosovës është shërbim publik universal, i shpejtë, i sigurt dhe i lirë. Pra, nuk e mat dërgesën me koston që ka, por me dobinë e qytetarit.

Andaj, unë falënderoj të gjithë punëtorët, të cilët ditë e natë shërbejnë anembanë komunave të Kosovës, edhe në fshatrat më të largëta, në mënyrë që askush në Republikën tonë të mos ndihet anash apo poshtë, por të jemi qytetarë të barabartë ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria e një vendi demokratik.

Edhe njëherë faleminderit shumë e gëzuar 2026-ta të gjithëve!

Përmbyllja e prononcimit pas fjalës së kryeshefes Nora Rraci dhe ministres Rizvanolli:

Edhe njëherë, falënderoj ministren në detyrë, Artane Rizvanolli, kryeshefen e Postës së Kosovës, Nora Rraci, kryesuesin e Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci dhe gjithë Bordin e menaxhmentin dhe punëtorët e Postës së Kosovës për këtë performancë të shkëlqyeshme, e cila na mbush me përplot shpresë e optimizëm për vitin 2026.