Erdogan: Turqia nuk do të tolerojë provokime dhe kërcënime detare në Mesdheun Lindor
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Turqia kurrë nuk do të tolerojë dhunën, piraterinë ose banditizimin në “atdheun blu” të saj, transmeton Anadolu.
Në një mesazh të Vitit të Ri të shpërndarë nga Presidenca, Erdogan tha se Ankaraja po monitoron nga afër provokimet dhe kërcënimet në rritje ndaj interesave të Turqisë dhe atyre të popullit turk qipriot në Mesdheun Lindor.
Ai shprehu shpresën që viti i ri t’i sjellë begati vendit, kombit dhe gjithë njerëzimit, përkujtoi pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe ushtarake që dhanë jetën në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera ndaj shtetit si dhe falënderoi veteranët për sakrificat e tyre të mëdha për paqen dhe sigurinë e 86 milionë qytetarëve të Turqisë.
Duke theksuar se viti që lamë pas shënoi zhvillime të rëndësishme si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, Erdogan shtoi: “Pavarësisht mjedisit gjithnjë e më të ashpër të luftës, krizave dhe tensioneve në rajonin tonë, Turqia po e vazhdon me besim rrugëtimin e saj të bekuar nën drejtimin e zyrtarëve të besueshëm dhe të aftë”.
Ai tha se Turqia po sheh rezultate pozitive nga programi ekonomik, duke vënë në dukje se procesi i dezinflacionit po vazhdon dhe rezervat e Bankës Qendrore po forcohen ndërsa prodhimi, investimet, punësimi dhe eksportet po fitojnë hov.
“Po thyejmë rekorde në shumë fusha, nga turizmi te industria e mbrojtjes”, tha Erdogan duke shtuar se projekti i madh i banesave sociale me gjysmë milioni njësi do t’u ndihmojë qytetarëve me të ardhura të ulëta të bëhen pronarë shtëpish dhe do të kontribuojë në uljen e çmimeve të larta të banesave dhe qirave.
Ai tha gjithashtu se qeveria synon t’i kurorëzojë fitimet ekonomike të këtij viti me reforma, përmes zbatimit gradual të Programit të Reformave të Shekullit të Turqisë me mbështetjen e parlamentit.
Erdogan theksoi se shërimi i dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e 6 shkurtit 2023, të cilat i cilësoi si “fatkeqësia e shekullit”, ishte prioriteti kryesor i qeverisë këtë vit, duke nënvizuar se qyteteve u janë rikthyer infrastruktura, hapësirat publike dhe struktura kulturore.
Ai kujtoi se më 27 dhjetor, në Hatay, u dorëzuan çelësat e njësisë së 455 mijtë të banesave të ndërtuara pas tërmetit dhe shprehu shpresën që shtëpitë dhe vendet e reja të punës t’u sjellin fat të mirë të mbijetuarve.
Presidenti falënderoi punëtorët, institucionet dhe bamirësit që kontribuuan në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit dhe u bëri thirrje kritikëve të vizitojnë qytetet e goditura për të parë nga afër progresin. Ai tha se qeveria do të vazhdojë të përmbushë premtimet dhe nuk do ta zhgënjejë popullin.
– Solidaritet rajonal
Duke theksuar se nuk do të braktisin kurrë jo vetëm popullin e tyre, por asnjë vëlla apo motër që i drejtohet Turqisë, Erdogan tha: “Pasqyrimet e politikës sonë, të përqendruar në të drejta, drejtësi dhe ndërgjegje, janë të dukshme në mbarë rajonin tonë, veçanërisht në Siri dhe Gaza”.
Në Sirinë fqinje, e cila rifitoi lirinë me revolucionin e dhjetorit 2024, rimëkëmbja është përshpejtuar dhe brenda një kohe të shkurtër është bërë përparim i ndjeshëm drejt stabilitetit politik, tha ai.
“Me forcimin e paqes në Siri, janë shtuar edhe kthimet vullnetare”, u shpreh Erdogan, duke theksuar se gjatë vitit të kaluar 600 mijë sirianë janë kthyer në vendin e tyre nga Turqia, ku miliona kishin gjetur strehë gjatë luftës së gjatë civile.
“Ne besojmë se një Siri e fortë, që ka siguruar unitetin politik dhe integritetin territorial, do të japë kontribute të jashtëzakonshme si për rrethinën e saj ashtu edhe për botën”, shtoi ai.
Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë administratën e re siriane për të garantuar siguri dhe stabilitet për të gjithë sirianët, duke theksuar mungesën e çdo diskriminimi mbi baza etnike apo sektare, përfshirë arabët, kurdët, turkmenët, sunitët, shiitët dhe alevitët.
– Përgjegjësi për Gazën
Erdogan tha se Turqia nuk do të heshtë derisa përgjegjësit për vdekjen e 71 mijë palestinezëve në Gaza, shumica gra dhe fëmijë, të mbahen përgjegjës.
“Armëpushimi (i 10 tetorit) në Gaza, i arritur me kontributet tona, vazhdon të mbahet falë përmbajtjes së vëllezërve dhe motrave tona në Gaza, pavarësisht të gjitha shkeljeve nga Izraeli”, tha ai.
Sipas tij, Ankaraja po punon intensivisht për të siguruar ndalimin e sulmeve të Izraelit, përshpejtimin e dërgimit të ndihmës humanitare në Gaza dhe lejimin e fillimit të përpjekjeve për rindërtim.
“Turqia po vazhdon iniciativat e saj për t’i dhënë fund sa më shpejt luftës Rusi-Ukrainë, e cila po i afrohet vitit të pestë, përmes një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.
– Kalohen pragje kyçe në procesin e “Turqisë pa terror”
Erdogan vuri në dukje se janë kapërcyer pragje të rëndësishme në procesin e “Turqisë pa terror”, i cili do të hapë një kapitull krejtësisht të ri jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin. Ai shtoi se Aleanca Popullore ka vepruar në mënyrë konstruktive dhe me qasje të orientuar drejt zgjidhjes gjatë gjithë procesit, duke theksuar se nuk është kursyer asnjë përpjekje për suksesin e tij.
“Komisioni ynë për solidaritet kombëtar, vëllazëri dhe demokraci, me vullnetin e Zotit, së shpejti do ta finalizojë raportin përfundimtar, për të cilin besojmë se do t’i japë hov të ri procesit”, tha Erdogan duke shtuar se iniciativa për t’i dhënë fund një problemi disa dekadash nuk duhet të dëmtohet nga interesa politike afatshkurtra dhe se qeveria do të bëjë gjithçka të nevojshme për të siguruar suksesin e saj.
Ai potencoi se gjatë 23 viteve të qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) u kanë shërbyer të gjithë 86 milionë qytetarëve vetëm me dashuri për kombin dhe atdheun. Erdogan tha se do të vazhdojnë të punojnë pa u kursyer për begatinë, paqen dhe mirëqenien e Turqisë.
Qeveria do të vazhdojë edhe në vitin 2026 të përqendrohet në veprime dhe rezultate konkrete, më shumë sesa në retorikë, duke theksuar projektet dhe investimet, tha Erdogan.
Presidenti falënderoi ata që mbështesin vizionin e Shekullit të Turqisë dhe uroi një Vit të Ri të begatë për Turqinë dhe popullin e saj, për rajonin dhe gjithë njerëzimin.

