Mickoski: Projektet hekurudhore në Korridorin 8 dhe zhvillimi i linjës së shpejtë në Korridorin 10 po përparojnë
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske lidhur me ecurinë e modernizimit të hekurudhave, deklaroi se projektet në infrastrukturën hekurudhore po shënojnë përparim të ndjeshëm, me fokus të veçantë në Korridoret 8 dhe 10, modernizimin e linjave ekzistuese dhe zhvillimin e linjave të reja hekurudhore më të shpejta.
“Sa i përket projekteve hekurudhore, mund të them se jam jashtëzakonisht i kënaqur me mënyrën se si po ecin. Ju rikujtoj se, pas asaj ngecjeje që pati në seksionin e tretë të Korridorit 8 dhe në linjën hekurudhore që lidh konkretisht Kumanovën me Kriva Pallankën dhe pikën kufitare me fqinjin tonë lindor, Bullgarinë, ato mospërputhje fillestare, do të thosha, u tejkaluan. Nënshkruam marrëveshje me fqinjin tonë lindor, Brukseli doli me mbështetje për ndërtimin e atij tuneli që duhet të lidhë dy linjat hekurudhore, përkatësisht linjën nga ana e fqinjit tonë lindor dhe linjën tonë, dhe pres që këtë vit, ngadalë por sigurt, të shpallet tenderi për ndërtimin e asaj, të ashtuquajturës, seksion i tretë. Pasi e para, nga Kumanova deri në Bejallkovcë, tashmë është lëshuar në përdorim, e dyta, që po ndërtohet nga Bejallkovca deri në Kriva Pallankë, dhe e treta, nga Kriva Pallanka deri te hyrja e atij tuneli. Ky është një projekt që po e çojmë përpara.
Në takimin tim të fundit në Bruksel, si në pjesën e punës ashtu edhe në atë joformale, kërkova mjete për modernizimin e linjës hekurudhore, e cila praktikisht është gjithashtu pjesë e Korridorit 8, që lidh Shkupin dhe Kërçovën, në aspektin e ndërrimit të shinave dhe elektrifikimit të saj”, tha kryeministri.
Kryeministri theksoi se po zhvillohet projekti për linjën e shpejtë hekurudhore të Korridorit 10, e cila duhet të lidhë Tabanovcën me Bogorodicën. Aty trenat e pasagjerëve do të qarkullojnë me shpejtësi deri në 200 km/orë, ndërsa trenat e mallrave deri në 120 km/orë. Ai nuk i përjashtoi as vlerën dhe përfitimet e projektit “treni urban”.
“Njëkohësisht po zhvillojmë edhe projektin për linjën e shpejtë hekurudhore të Korridorit 10, e cila duhet të lidhë Tabanovcën dhe Bogorodicën. Aty trenat e pasagjerëve do të qarkullojnë me shpejtësi deri në 200 km/orë, ndërsa trenat e mallrave deri në 120 km/orë. Do të jetë me dy binarë. Ky është një pjesë e projektit me Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë po përpunohen studimet e fizibilitetit dhe studimi për ndikimin socio-ekonomik në mjedis, si dhe ndikimin mbi parametrat ekologjikë. Pres që kjo të përfundojë deri në fund të verës dhe që nga vjeshta të fillojmë, ngadalë por sigurt, të flasim për vendosjen e gurthemelit.
Ndërkohë, kemi pasur një thirrje për përzgjedhjen e financuesit. Kemi një ofertë që është jo-detyruese dhe përafërsisht e vlerësuar. Ende do të fillojmë bisedimet dhe negociatat për detajet, por na nevojiten parametrat nga këto studime fizibiliteti për të cilat fola më herët. Kështu që pres që edhe ky projekt të vihet në lëvizje. Njëkohësisht po përparon edhe i ashtuquajturi ‘tren urban’, projekt me vlerë, në fazën e parë, prej gjashtë milionë eurosh, rreth 360 milionë denarë, me të cilat nga krahu lindor i kryeqytetit, me lokomotivë elektrike, përkatësisht me tren elektrik, do të arrihet deri në qendrën e qytetit. Para disa ditësh nënshkruam marrëveshje për furnizimin me pesë lokomotiva elektrike, me vlerë 21 milionë euro”, shpjegoi kryeministri./albazone.mk

