Nevzat Bejta premton pastërti dhe ruajtje të hapësirave të gjelbra
Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta premton se nëse e merr besimin e qytetarëve do të rikthehet në ritmin e punëve që ai i ka realizuar gjatë udhëheqjes së tij me këtë komunë.
Si një prej projekteve më me prioritet përmendi hapjen e bulevardit prej rrugës së Dibrës deri te Gjykata Themelore ku mbi lumin Vardar, tha se do të ndërtohet një urë me katër korsi. Përveç projekteve të shumta infrastrukturore, Bejta premtoi pastërti dhe ruajtje të hapësirave të gjelbra, depolitizim të arsimit, zhvillim ekonomik dhe fuqizim të rinisë përmes kulturës dhe sportit.
Postimi i plotë nga BEJTA:
Të nderuar qytetarë, ju mirë i dini projektet që janë realizuar gjatë udhëheqjes sime me Komunën e Gostivarit, mirëpo tash është koha që ai ritëm punë të rikthehet sërish pas 11 janarit.
Na presin projekte si:
🔴 Hapja e bulevardit prej te Rruga e Dibrës e deri tek Gjykata Themelore, ku mbi lumin Vardar do të ndërtohet ura e dytë me katër korsi, një projekt që do ta lirojë komunikacionin brenda qytetit.
🔴 Ndërtimi i rrugës Forinë-Gostivar, rrugë që lidh vendbanimet Çegran, Forinë dhe Çajlë, që poashtu do të lirojë komunikacionin.
🔴 Pastërtia dhe ruajtja e hapësirave të gjelbra, ku është paraparë të vendosen kontejnerë nëntokësorë.
🔴 Arsimi do të depolitizohet, duke krijuar kushte për arsim më cilësor, me shkolla dhe çerdhe të rregulluara bukur dhe me kushte super moderne.
🔴 Do të zhvillohet ekonomia vendore dhe do të ulet papunësia, sepse do të përkrahen bizneset.
🔴 Do t’i japim hapësirë të madhe rinisë, duke e fuqizuar përmes kulturës dhe sportit.
🔴 Nuk do të këtë më rrugë të shkatërruara, nuk do të ketë më rrugë me gropa, sepse në këtë mandat, unë do të qeveris bashkë më qytetarët, pasi çdo projekt do të përpilohet dhe do të realizohet sipas kërkesës së tyre!

