BotaTop Lajme

SHBA-të u bëjnë thirrje amerikanëve: Largohuni nga Irani tani!

Shpërndaje

Presidenti amerikan Donald Trump u tha të martën iranianëve të vazhdojnë protestat. Në rrjetin social Truth, ai deklaroi se ndihma për ta është rrugës, por nuk dha më shumë detaje. Pas protestave, kreu i Shtëpisë së Bardhë informoi se ka anuluar takimet me zyrtarë të Iranit.

“Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni, merrni në kontroll institucionet tuaja! Mbani shënim emrat e vrasësve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa të ndalohet vrasja e pakuptimtë e protestuesve. Ndihma është rrugës”, shkroi Trump.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Iran të largohen menjëherë nga vendi, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se protestat kundër qeverisë janë intensifikuar në të gjithë vendin.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë ambasadë apo konsullatë në Iran. Shërbimet emergjente për qytetarët amerikanë ofrohen vetëm përmes Ambasadës së Zvicrës në Teheran, ndërsa ndihma konsullore e zakonshme mungon.

Sipas gazetës New York Times, Pentagoni i ka paraqitur Trump-it një gamë më të gjerë opsionesh ushtarake sesa ishte raportuar më parë. Mes objektivave të mundshme përfshihen programi bërthamor iranian, si dhe bazat e raketave balistike.

Megjithatë, sipas burimeve amerikane, skenarët më të mundshëm mbeten sulmet kibernetike ose goditja e aparatit të sigurisë së brendshme iraniane.