Lajme

Rama mbledh Grupin Parlamentar, analizë e detajuar e të gjithë sektorëve

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të enjte (16 janar), Grupin Parlamentar Socialist në Pallatin e Brigadave, në një takim që shënon mbledhjen e parë për vitin 2026.

Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, ka raportuar se mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pritet të zgjasë deri rreth orës 14:00.

Në fokus është një analizë e detajuar e të gjithë sektorëve, sipas ndarjes së përcaktuar më herët nga kryeministri. Aktualisht në Partinë Socialiste funksionojnë 13 komisione, drejtuesit e të cilëve do të raportojnë për fushat që mbulojnë, duke pasur në dispozicion nga 10 minuta secili.

Sipas agjendës, takimi pritet të nisë me adresimin e Kryeministrit Rama drejtuar grupit parlamentar, për të vijuar më pas me fjalën e kreut të Kuvendit Niko Peleshi dhe të kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla.

“Kjo mbledhje synon të riorganizojë punën e brendshme të grupit socialist dhe të vendosë prioritetet, jo vetëm në lidhje me objektivat e qeverisë për vitin 2026, por edhe për jetën parlamentare”, tha Shkodrani.

Ndërkohë, ditën e nesërme Rama do të ketë një takim edhe me krerët socialistë të bashkive që do të mblidhen në Durrës.

Grupi Parlamentar Socialist hap vitin e ri kuvendor