BotaTop Lajme

Machado i dorëzon Trumpit medaljen e Nobelit të Paqes si simbol mirënjohjeje

Shpërndaje

María Corina Machado, laureate e Çmimit Nobel për Paqe, i ka dorëzuar presidentit amerikan Donald Trump medaljen e Nobelit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar veprimin si simbol mirënjohjeje dhe si vlerësim për angazhimin e tij ndaj “lirisë së Venezuelës”, raporton BBC.

“Besoj se sot është një ditë historike për ne venezuelasit”, ka thënë Machado pas takimit, duke shtuar se medalja përfaqëson, sipas saj, “një njohje” për përkushtimin e Trumpit ndaj çështjes së vendit të saj.

Trump e cilësoi gjestin “një veprim të mrekullueshëm respekti të ndërsjellë” në rrjete sociale. Ndërkohë, komiteti i Nobelit ka theksuar se çmimi dhe statusi i laureatit nuk mund të transferohen, edhe nëse medalja si objekt mund të dhurohet.

Sipas BBC-së, Trump nuk e ka shpallur Machado-n udhëheqëse të re të Venezuelës, pavarësisht pretendimeve të lëvizjes së saj për fitore në zgjedhjet e vitit 2024, të cilat u kontestuan gjerësisht. Ai ka vijuar komunikimin politik duke u marrë me Delcy Rodríguez, ish-zëvendëspresidente e Venezuelës.

Pas takimit, Machado u drejtua edhe te mbështetësit e mbledhur jashtë Shtëpisë së Bardhë, duke deklaruar se venezuelasit “mund të llogarisin te Presidenti Trump”.