MPB: Qytetarët të mos hapin mesazhe të rreme, gjoja se të dërguara nga “Qyteti i Sigurt” dhe të mos ndajnë të dhëna personale
Ministria e Punëve të Brendshme informon opinionin se në periudhën e kaluar është vërejtur dukuria e sulmeve të fishingut të cilat realizohen përmes porosive të rreme SMS, porosive elektronike, ueb-faqeve dhe porosive në rrjetet sociale.
Mesazhet e rreme supozohet se vijnë nga Departamenti i Automjeteve Motorike si njoftim nga sistemi “Safe City” dhe në to është shënuar një link i rremë përmes të cilit qytetarët ridrejtohen që të bëjnë pagesën për shkeljen e supozuar rrugore.
U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapen linket dhe porositë e dyshimta, të mos ndahen asnjëherë të dhënat personale, siç janë numrat e kartave bankare, fjalëkalimet ose identifikuesit personalë përmes kanaleve të paautorizuara, të verifikojnë adresën e dërguesit – institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare, të përdorin autentifikimin dy faktorësh (2FA) për mbrojtje shtesë të llogarive të tyre dhe të denoncojnë porosi të dyshimta tek institucionet kompetente ose në bankën kompetente.
Njoftimet SMS për kundërvajtjen e kryer duhet të jenë nga dërguesi “MVR-SC”. Teksti duhet të përmbajë domosdoshmërisht targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen, dhe linkun në formatin si në vijim “https://safecountry.mvr.gov.mk…”.
Sektori i Krimit Kompjuterik në Ministrinë e Punëve të Brendshme vazhdon të hetojë në mënyrë aktive dhe të marrë masa për zbulimin dhe sanksionimin e kryerësve të këtij lloji mashtrimi.

