MaqedoniTop Lajme

BDI: Vendimet e DAP për tatime retroaktive krijojnë pasiguri ekonomike dhe sociale

Shpërndaje

Dega e BDI Tetovë shpreh mbështetje të plotë dhe të pakursyer për protestën dhe kërkesat e qytetarëve të prekur nga vendimet e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, të cilat parashohin tatimimin retroaktiv për të ardhurat e realizuara jashtë shtetit gjatë pesë viteve të kaluara. Këto vendime janë të padrejta, krijojnë pasiguri juridike sociale dhe ekonomike dhe njëheri përbëjnë barrë të rëndë financiare për qytetarët që kanë punuar jashtë vendit, shpesh në kushte të rrezikshme, për të siguruar jetesën e familjeve të tyre.

Duhet të merret seriozisht parasysh fakti se shumica e këtyre punëtorëve kanë qëndruar dhe punuar jashtë vendit, ndërsa të ardhurat e tyre tashmë janë shpenzuar dhe investuar kryesisht brenda vendit. Tatimi retroaktiv në këtë moment po rrezikon drejtpërdrejt stabilitetin ekonomik të shumë familjeve, në një periudhë kur inflacioni ka arritur nivele alarmante dhe një numër i madh qytetarësh përballen me varfëri të skajshme dhe çështje ekzistenciale.

Politika të tilla restriktive fiskale do të kishin kuptim vetëm nëse do të shoqëroheshin me përgjegjësi të njëjtë nga ana e qeverisë, përmes reduktimit të shpenzimeve të panevojshme publike. Fatkeqësisht, çdo ditë jemi dëshmitarë të shpenzimeve të majme të pushtetarëve për luks dhe imazh, ndërkohë që barra po i transferohet padrejtësisht qytetarëve të zakonshëm.

BDI – Dega Tetovë qëndron fortë në krah të qytetarëve të prekur nga këto vendime dhe kërkon pezullimin e menjëhershëm të tatimeve retroaktive, trajtim të drejtë dhe transparent nga institucionet, si dhe hapjen e dialogut për një zgjidhje të arsyeshme dhe humane. Qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për punën e tyre, por të mbrohen nga politika të padrejta dhe të pakoordinuara që dëmtojnë qytetarët.

Me respekt,
Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Tetovë