MPB: Nesër testim dhe kalibrim i kamerave të “Qytetit të Sigurt” në Tetovë dhe Kumanovë
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se nesër (25 janar) do të realizohen aktivitete në kuadër të projektit “Qyteti i sigurt” në zonat urbane të Tetovës dhe Kumanovës, konkretisht për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e kamerave të trafikut.
“Në kuadër të projektit ‘Qytet i sigurt’, nesër do të zhvillohen aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e aparateve të instaluara për mbikëqyrjen e trafikut në qytetet e Kumanovës dhe Tetovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas njoftimit, aktivitetet do të zhvillohen nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa çdo lokacion me kamera do t’i nënshtrohet procedurës vetëm një herë.
“Në secilin lokacion procedura do të zgjasë shkurt, afërsisht 15 deri në 30 minuta”, sqarojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
MPB informon se gjatë zhvillimit të aktiviteteve, komunikacioni nuk do të ndërpritet plotësisht, por mund të ketë kufizime të përkohshme.
“Gjatë zhvillimit të aktiviteteve në lokacionin e caktuar, përkohësisht do të ketë kufizime në komunikacion, ndërsa pas përfundimit të procedurës trafiku do të vazhdojë të funksionojë normalisht”, theksohet në njoftim.
Nga MPB u bëjnë thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe respektim të rregullave gjatë kësaj periudhe.
“U bëjmë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufizimet e përkohshme dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim”, apelojnë nga Ministria.

