ASH: Koalicioni VMRO–VLEN–LEVICA po zbaton “Safe City” në mënyrë selektive
Aleanca për Shqiptarët (ASH) me kryetar Arben Taravarin ka reaguar ashpër ndaj Ligjit për Kundërvajtje, i cili përfshin edhe projektin “Safe City”, të miratuar nga koalicioni qeverisës VMRO–VLEN–LEVICA dhe që tashmë ka kaluar në Parlament, duke pritur zbatimin në praktikë.
Në një deklaratë publike, ASH shpreh shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese, duke vlerësuar se mënyra e zbatimit të ligjit rrezikon të dëmtojë drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, një nga problemet kryesore është mosrespektimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve. ASH thekson se komunikimi zyrtar me qytetarët, përfshirë njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Safe City”, po realizohet pa respektuar të drejtat gjuhësore të qytetarëve shqiptarë, çka përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të parimeve kushtetuese të shtetit.
Po ashtu, ASH kritikon dënimet e parashikuara, duke i cilësuar ato si disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale. Sipas partisë, lartësia e gjobave dhe mungesa e tolerancës rrezikojnë që siguria në komunikacion të shndërrohet në barrë të rëndë ekonomike për qytetarët, në vend që të shërbejë si mekanizëm parandalues.
Një tjetër shqetësim i ngritur është zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në disa qytete. ASH vlerëson se një qasje e tillë është e padrejtë dhe diskriminuese, duke theksuar se nëse synimi është rritja e sigurisë publike, projekti duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e vendit.
Për shkak të, siç thuhet, shkeljeve serioze ligjore dhe kushtetuese, Aleanca për Shqiptarët ka njoftuar se do ta ankimojë Ligjin për Kundërvajtje në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe parimit të barazisë para ligjit.

