Sindikatat nesër në rrugë-protestë për paga më të larta! Mickoski: Çdokush ka të drejtë të protestojë
“Nesër është dita kur punëtorët flasin. Sa fort do të flasin varet nga ju. Ne do të jemi në rrugë, ju ftoj të na bashkoheni!” Kreu i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafilov, me thirrje për të gjithë punëtorët që t’i bashkohen protestës së nesërme, ku pret pjesëmarrje masive. Ai thotë se revolta e punëtorëve është e madhe për shkak të qëndrimit injorues të punëdhënësve dhe Qeverisë. Kërkojnë pagë minimale 600 euro dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera.
“Ju lutem kuptoni se të tjerët po numërojnë, se të tjerët mendojnë se nëse nuk vini, u jepni mbështetje të madhe që të mos ua rrisin pagën dhe se ju jetoni mirë dhe se flisni vetëm për gjëra të bukura. Por realiteti është tjetër. Nuk i kanë hequr syzet rozë dhe prandaj shihemi në rrugë në ora 17 përpara simbolit të luftës punëtore – Shtëpisë së Punëtorëve”, theksoi Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së.
Protesta do të vazhdojë para Kuvendit, Odës Ekonomike dhe përfundon para Qeverisë. Nëse kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër, sindikalistët paralajmërojnë bllokada të institucioneve, por nuk përjashtojnë as grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat. Trendafilov me apel që të mos i nënshtrohen kërcënimeve, ndërsa kërcënime ka marrë edhe ai vetë.
“Vishuni ngrohtë, vendosni kapelë, shall dhe ejani në rrugë në errësirë me punëtorët, që të mos ju njohë askush nëse ju kërcënon. Nuk duhet t’i frikësoheni askujt sepse askujt nuk i detyroheni absolutisht asgjë. I detyroheni vetëm familjeve tuaja një jetë dinjitoze”, tha Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së.
Kryeministri Mickoski sot e përsëriti qëndrimin e Qeverisë.
“Çdo kush ka të drejtë të protestojë. Paga minimale sipas ligjit do të rritet në muajin mars, përkatësisht me pagat që punëtorët do t’i marrin në prill, për marsin do të jetë e rritur sipas ligjit. Ne thamë se çdo zgjidhje që do ta arrijnë në atë dialog dypalësh sindikatat me punëdhënësit, ne do ta mbështesim”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë.
Nga Konfederata e Biznesit janë kategorikë se sektori privat nuk mund të përballojë rritje pagash pa subvencionim të kontributeve nga ana e Qeverisë.
“Nëse rritet paga për 6.000 denarë, në atë moment kontributet sociale dhe tatimi personal janë shtesë 3.259 denarë. Por shtesë, për kërkesat prej 12.000 denarësh rritje, kontributet sociale dhe tatimi personal janë afërsisht 6.500 denarë, respektivisht kjo është një rritje enorme prej 18.000 denarësh për punëtor”, theksoi Mile Boshkov, Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.
Sindikatat nga arsimi, kultura, mediat, industria, tregtia, policia, administrata dhe të tjera, nesër nga ora 17 i bashkohen protestës. Zyrtarisht një vendim të tillë e mori edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve në media. Ata thonë se të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e punonjësve në media fitojnë nën mesataren, ndërsa një e treta mbahen me pagë minimale. Edhe pse kreu i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Bllagoj Rallpolvski, në emisionin Biznes 21 në TV21 para një muaji deklaroi se do t’i bashkohen protestës për paga më të larta, ai sot nuk iu përgjigj pyetjeve tona. Në deklaratat e ditëve të fundit Rallpolvski u tërhoq – tha se sektori publik ka marrë rritje dhe se ata si sindikatë vetëm do të bëjnë thirrje kush dëshiron të dalë.

