Sindikatat: Punëtorët nuk do të ndalen derisa të rritet paga minimale dhe pagat e tjera
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) paralajmëroi bllokada dhe protesta nga java e ardhshme për shkak të pakënaqësisë nga të ardhurat e ulëta minimale të punëtorëve, transmeton Portalb.mk.
Përfaqësuesit e LSM-së janë të prerë se do të vazhdojnë me protesta derisa të arrihet paga minimale prej 600 eurosh dhe rritje e të gjitha pagave për 100 euro.
Sindikalistët thonë se punëtorët janë bashkuar nga varfëria dhe se nuk do të tremben nga presionet ose kërcënimet e drejtuesve.
Ata paralajmëruan se së pari do t’i bllokojnë deputetët, për të cilët, sipas kreut të LSM-së Sllobodan Trendafilov, ligji po fshihet në sirtar.
Nga atje gjithashtu paralajmëruan mbajtjen e një greve të përgjithshme 24-orëshe.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot përsëriti se Qeveria do të mbështesë dhe do të zbatojë marrëveshje për paga më të larta ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, duke theksuar se për pagën minimale duhet të veprohet sipas ligjit.
“Ofruam rritje të pagave për nëpunësit administrativë prej rreth 40 për qind, por LSM-ja e refuzoi rritjen! Ndërsa sa i përket pagës minimale, ne duhet të veprojmë në përputhje me ligjin. Do të ketë rritje dhe nivelizim. Në momentin e parë kur punëtorët dhe punëdhënësit të arrijnë marrëveshje, ne si qeveri do ta mbështesim dhe do ta zbatojmë”, shkroi Mickoski në një postim në Facebook.
Nga ana tjetër, LSDM-ja opozitare ka paralajmëruar dorëzimin e zgjidhjeve ligjore për rritjen e pagave të punëtorëve dhe ngrirjen e pagave të funksionarëve.
“Duke pasur parasysh pozitën e vështirë të punëtorëve, rënien e standardit jetësor të qytetarëve dhe kërkesat e Lidhjes së Sindikatave, LSDM do të dorëzojë zgjidhje ligjore në Kuvend për rritjen e pagës minimale në 600 euro, rritjen e pagave me 100 euro në sektorët e tjerë, si dhe zgjidhje ligjore për ngrirjen e pagave të funksionarëve”, njoftoi LSDM.
Rritja e rregullt, ligjore e pagës minimale bëhet në muajin mars. Ajo harmonizohet me 50 për qind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar për vitin paraprak dhe 50 për qind të rritjes së indeksit të kostos së jetesës për vitin paraprak. Për marsin 2026, kjo do të thotë rritje prej 1.500 deri në 2.000 denarë.
Inflacioni në Maqedoninë e Veriut është rritur me 4,1 për qind në baza vjetore. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), të publikuara më 8 janar, vetëm gjatë vitit 2025 çmimet janë rritur mesatarisht për 4,1 për qind, ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 3,7 për qind.
Paga minimale aktuale është 24.379 denarë (397 euro). Kjo është 2,6 herë më pak se shporta e konsumit për dhjetorin 2025, e cila kap vlerën 65.492 denarë – aq sa ka llogaritur Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) se i nevojitet një familjeje për ta kaluar muajin.
Në rajon, vetëm Kosova ka pagë minimale më të ulët se Maqedonia e Veriut, 384 euro. Paga minimale në Serbi varion nga 505 deri në 580 euro, në varësi të orëve të punës në muaj. Në Shqipëri është 440 euro, në Bosnje dhe Hercegovinë 525 euro, ndërsa më e larta është në Mal të Zi – 600 euro në muaj.

