RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti bëri homazhe në 29-vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës bëri homazhe në kujtim dhe nderim të rënies së Zahir Pajazit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Homazhet i nisi në Prishtinë, kur bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu me kolegë nga Qeveria dhe Kuvendi e me veprimtarë të çështjes kombëtare, luftëtarë e ish-të burgosur politikë, ku vendosën lule të freskëta te shtatorja e Heroit të Kombit, Zahir Pajazitit në kryeqytet, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Nga aty, vijoi me homazhe te Kulla e Zahir Pajazitit në Orllan të Podujevës, pastaj te kompleksi “Hakif Zejnullahu” në Lladoc dhe në fund në Bulevardin e qytetit të Podujevës “4 dëshmorët”.

“Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte një luftëtar i paepur tërë jetën dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën në janarin e vitit 1997, u vra nga pusia e forcave serbe, për shkak se nuk ishte edhe e mundshme ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, sa që vetëm kurthi, pusia, prita, mund t’u jepte shanse forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin”, u shpreh kryeministri Kurti gjatë homazheve.

Ai tha se rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata, në mënyrë që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi, si dhe do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit, gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës”, deklaroi kryeministri.

Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!

Prononcimi i Kryeministrit Kurti pas homazheve te Përmendorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë:

Bashkë me presidenten e Kosovës dhe nënkryetaren e Kuvendit, me kolegë nga Qeveria e Kuvendi e me aktivistë nga Lëvizja, me veprimtarë të çështjes kombëtare, me luftëtarë e ish të burgosur politikë, vendosëm sot lule të freskëta këtu te përmendorja e Zahir Pajazitit në kryeqytet, në sheshin që mban emrin e tij.

Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte një luftëtar i paepur tërë jetën dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme.

Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën në janarin e vitit 1997, u vra nga pusia e forcave serbe për shkak se nuk ishte edhe e mundshme ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, sa që vetëm kurthi, pusia, prita mund t’u jepte shanse forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin.

Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti.

Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata, në mënyrë që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi si dhe do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës.

Lavdi Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore në 29-vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës

Pas homazheve në Prishtinë, Orllan, Lladoc dhe Podujevë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, e cila u mbajt në teatrin “Avdush Hasani”, në Podujevë, me rastin e 29-vjetorit të rënies së Heroit të Kombit Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuara familje Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare,
I nderuari Kryetar i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi,
I nderuari ministër në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
Kolegë nga Kuvendi e Qeveria e Kosovës,
Përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit,
Oficerë, ushtarë e policë,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Që prej 29 vitesh, dita e fundit e janarit për çdo vit, është rezervuar për ta kujtuar Zahir Pajazitin me shokë, një ndër personalitetet më të shquara dhe më të veçanta në luftën për çlirimin e Kosovës. Në respekt të kësaj tradite tashmë të institucionalizuar, me konsideratat më të larta për dëshmorët, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot më 31 janar 2026, jam i nderuar të jem këtu në Llap mes familjeve të dëshmorëve dhe ju bashkëluftëtarëve të tyre, për homazhe dhe këtë akademi përkujtimore.

Këtë vit Zahirin me shokë po e kujtojmë me këtë akademi përkujtimore këtu në Podujevë, e vitin tjetër, që shënon përvjetorin jubilar, 30-vjetorin, do t’i nderojmë e lartësojmë nga Prishtina, nën patronatin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës.

Sot janë bërë 29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, më 31 janarin 1997, por çfarë dhe kë kujtojmë në të vërtetë në këtë rast? Kush ishin këta njerëz dhe cila është koha e tyre?

Qysh prej krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe gjatë tërë shekullit XX, sfida dhe synimi kryesor për shqiptarët, ishte çlirimi nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia dhe bashkimi politik me Shqipërinë. Në këtë periudhë të gjatë rreth tetë dekadëshe, të gjithë ata që janë angazhuar për këtë qëllim sipëror kombëtar e politik, kanë patur dy rrugë të ndryshme, ndonëse përplotësuese të njëra-tjetrës.

Rrugën e angazhimit politik, qoftë ai brenda apo jashtë institucioneve të sistemit, si dhe rrugën e kryengritjes së armatosur e të luftës çlirimtare. Në të dyja këto rrugë, historia e ne shqiptarëve ka mbajtur shënim për ngjarje dhe personalitete që jo vetëm me veprën por edhe me jetën e tyre, i kanë shënjuar të gjitha udhëtimet nëpër to. Njerëz që me angazhimet e tyre totale, me dedikimin e plotë të vetes së tyre në kuptimin politik dhe njerëzor, janë përkushtuar për lirinë e atdheut tonë të përbashkët, si vendi ku secili njeri mëson ta dojë botën.

Në aktin e dekadës kur kulmoi përpjekja e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, në dhjetë vitet e fundit të shek. XX, individë dhe grupe shokësh, të organizuar politikisht dhe ushtarakisht rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e përmbyllën kapitullin aq të vështirë dhe të lavdishëm të luftës për liri.

Zona e Llapit e cila kishte qenë aq e pëlleshme për organizatat ilegale, nga Çeta e Llapit e tutje, ia dha Kosovës një prej grupeve më së miri të organizuara të UÇK-së, grupin e Zahir Pajazitit me shokë, që në vitet e luftës, u shumëfishua në Zonën Operative të Llapit.

Nga oda e Sabit Zejnullahut ku zhvilloheshin takimet e këtij grupi deri te kjo akademi përkujtimore sot në teatrin e qytetit në Podujevë, djemtë dhe vajzat e Llapit kanë lënë mbrapa një histori vërtetë të jashtëzakonshme të përpjekjeve dhe të flijimit të tyre për lirinë e Kosovës. (E nesër do ta kujtojmë edhe Ylfete Humollin në përvjetorin e 36-të të vrasjes së saj.) Këtë histori tonën si popull e kanë dëshmuar me jetën e tyre dëshmorët, si Zahiri, Hakifi dhe Edmondi, por sot, këtë histori e kanë për obligim të na e rrëfejnë për historinë e Kosovës dhe të brezave që do të vijnë edhe pas nesh shokët e tyre: Selim Haziri, Sejdi Rama, Naim Haziri, Shaip Haziri, Fatmir Humolli, Nazmi Zuka, Hasan Zeneli, Isak Shabani, Rrustem Mustafa, Nazmi Ajeti, Shukri Ismajli, plaku i Shishmanit, Xhemë Jakupi, Avni Ajeti, Ismet Abdullahu, Muharrem Ismajli, Shukri Ismajli, Ramadan Avdiu, Ismail Sejdiu, Naim Hyseni e të tjerë, shumë prej të cilëve janë edhe sot këtu mes nesh bashkë.

Andaj mbetet kyçe dhe tejet e rëndësishme kultivimi dhe mirëmbajtja e kësaj tradite të përkujtimit të tyre. Duke e ditur se prej nga vijmë, ecim edhe më shpejt, edhe më sigurt për atje ku duam të mbërrijmë.

Lavdi Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, si dhe lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës!

Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen.