MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Ky është vetëm fillimi – po hapen mbi 50 lëndë për korrupsion të lartë, pasuria e vjedhur duhet t’i kthehet popullit

Shpërndaje

Fjalimi i kryeministrit të RMV-së, Hristijan Mickoski, në seancën konstitutive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë.
“Sot mbajmë seancën konstitutive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, një trup që nuk është formalitet, por një mesazh i qartë dhe i paanshëm se shteti më në fund qëndron fuqishëm, sistematikisht dhe pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.
Kjo Qeveri ka nisur luftën kundër krimit dhe korrupsionit jo me deklarata, por me vepra. Aktualisht, mbi 50 raste për korrupsion të lartë janë në procedurë – raste që për vite me radhë janë fshehur, shtyrë ose injoruar. Por kjo nuk është fundi, por fillimi. Presim hapjen e rasteve të reja, hetime të thella dhe rezultate që do të rikthejnë besimin e qytetarëve tek shteti dhe institucionet.
Dua ta bëj të qartë: Nuk ka drejtësi selektive. Nuk ka të mbrojtur. Nuk ka të paprekshëm.
Për të pasur sukses në këtë luftë, është e nevojshme të forcohet gjyqësori dhe prokuroria, në aspekt institucional, kadrovik dhe funksional. Vetëm një gjyqësor dhe prokurori i fortë, i pavarur dhe profesional mund ta çojnë këtë luftë deri në fund dhe të sigurojnë që drejtësia të mos jetë e ngadaltë, as selektive, por e efektshme dhe e drejtë.
Jam për masa të përforcuara në luftën kundër korrupsionit. Por kjo luftë nuk përfundon me procedurë penale. Lufta duhet të përfundojë me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Sepse krimi nuk duhet të paguhet.
Ajo që është vjedhur duhet t’i kthehet popullit.
Prandaj po vendosim këto mekanizma dhe prandaj sot konstituojmë këtë Këshill. Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme dhe përfitimeve të pasurisë nuk është një hap i thjeshtë, por një proces shumëdimensionale dhe kompleks, që përfshin shumë faza të ndërthurura dhe kushtëzuara, ku janë të përfshira institucione të ndryshme me kompetenca dhe përgjegjësi të qarta.
Duke ndjekur fazat e procedurës për rikthimin e pasurisë, Strategjia për periudhën 2025 – 2028 përcakton qartë tre fusha prioriteti:
Gjetja, identifikimi dhe monitorimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mekanizmave modernë hetimor financiar.
Sigurimi i përkohshëm dhe konfiskimi i pasurisë dhe përfitimeve, shpejt, efikas dhe në përputhje me ligjin, pa hapësirë për manipulime, vonesa apo keqpërdorime.
Menaxhimi efikas i pasurisë së konfiskuar, duke përfshirë edhe përdorimin e saj të ri për qëllime sociale, sepse pasuria kriminale e konfiskuar duhet të marrë vlerë të re shoqërore dhe të kthehet në shërbim të qytetarëve.
Ky Këshill, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit për politika të qeverisjes së mirë, ka rol kyç në koordinimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin strategjik të të gjitha këtyre proceseve. Pres nga ju profesionalizëm, guxim dhe integritet, por mbi të gjitha rezultate.
Sot po vendosim themelet e një sistemi ku drejtësia nuk është deklaratë, por praktikë, ku lufta kundër korrupsionit nuk është slogan politik, por politikë shtetërore, dhe ku institucionet punojnë në interes të qytetarëve, jo për të mbrojtur individë.
Kjo është një luftë për shtetin e së drejtës.
Kjo është një luftë për besimin.
Kjo është një luftë për dinjitetin e qytetarëve.
Dhe në këtë luftë, nuk do të tërhiqemi.
Ju uroj punë të suksesshme dhe të përgjegjshme.”