MaqedoniTop Lajme

DAP nuk lëshon pe për pagesën e tatimit mbi të ardhurat! Nga 1.100 qytetarë vetëm 200 kanë dorëzuar dëshmi për tatim të paguar

Shpërndaje

Po u lihet kohë qytetarëve që kanë punuar jashtë vendit dhe që duhet të paguajnë tatim mbi të ardhurat, që të mund të sigurojnë dëshmi se tatimi për ta është paguar nga kompanitë ku kanë punuar. Këtë e deklaroi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrevska, e cila tha se një marrëveshje e tillë është arritur të premten në takimin me ta. Nga 1.100 qytetarë që kanë punuar në Afganistan dhe Irak, rreth 200 kanë dorëzuar dëshmi, por çfarë ndodh me ata që nuk mund t’i sigurojnë dëshmitë?

“Ka edhe qytetarë të tjerë të prekur që nuk kanë arritur të sigurojnë dëshmi përkatëse nga kompanitë ku kanë punuar dhe arritëm në përfundim që të na dorëzojnë lista të atyre qytetarëve, të dhëna për kompanitë ku kanë qenë të angazhuar, që përsëri t’u dalim në ndihmë dhe të bëjmë përpjekje për verifikime shtesë edhe për ata qytetarë, në kuptim të asaj nëse e kanë paguar tatimin në shtetin tjetër”, tha Elena Petrevska – drejtoreshë e DAP.

Petrevska thotë se nuk ka të dhëna se sa para janë mbledhur deri tani nga pagesa e këtij tatimi. Megjithatë shton se vendimet që i kanë marrë nuk do t’u shkaktojnë shpenzime shtesë, pra nuk kanë afate dhe për këtë arsye nuk do t’u llogaritet interes.

“Këto janë vendime akontative, të cilat do të zëvendësohen me vendime përfundimtare vjetore për vitin 2020. Gjenerimin apo përgatitjen e atyre vendimeve përfundimtare vjetore që kanë të bëjnë me korrigjimin e deklaratës vjetore tatimore për vitin 2022, do ta shtyjmë atë proces apo atë veprim deri në marrjen e përgjigjeve dhe deri në përfundimin e të gjithë këtij procesi që e kemi nisur, për të verifikuar dëshmitë dhe të dhënat e nevojshme”, shtoi drejtoresha e DAP.

Qytetarët që kanë punuar në shtete të tjera, kryesisht në Irak dhe Afganistan, thonë se prej vitesh nuk jetojnë në vend dhe për këtë arsye nuk duhet të trajtohen si tatimpagues. Ata të premten kanë mbajtur takim me Petrevskën, por prej aty dolën të pakënaqur.

“Nuk arritëm të gjejmë zgjidhje. Sot ishim të ftuar këtu për të pasur një prezantim se si punon Drejtoria e të Ardhurave Publike, si i zbaton ligjet – në fakt ishte një takim seminarik. Na mësuan si të veprojmë me ligjet, me ato vendime. Ne sollëm dëshmi, ata thonë se i kanë, i shqyrtojnë – tashmë një muaj i shqyrtojnë. Nuk kemi asnjë përgjigje”, potencoi Zhikica Milanov.