RajoniTop Lajme

Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës, qytetarët e Kosovës paralajmërojnë krizë sociale

Shpërndaje

Qytetarët e frustruar për shkak të paralajmërimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike protestuan sot para KEDS-it dhe Qeverisë. Pati edhe hedhje të tymosjes në drejtim të objektit të KEDS-it, derisa një i moshuar është arrestuar.

Protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me rritjen e të faturave të energjisë elektrike nga viti i kaluar e deri më tani.

Ata thonë se kjo situatë është e papërballueshme për familjet, pensionistët dhe shtresat me të ardhura të ulëta, në një kohë kur janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e ushqimeve, bukës dhe mallrave bazë, gjë që po e vështirëson çdo ditë e më shumë jetesën.

Protestues nga qyteti i Ferizajt, Bastri Mustafa, tregon se padrejtësisht janë shtrenjtuar faturat e energjisë elektrike prej vitit të kaluar e deri më tash.

“Kjo është diçka katastrofale për jetën tonë që jetojmë në Kosovën e lirë. 146 euro më ka ardhë rryma për 1 muaj ditë. Unë ia dal ndoshta, unë jam pensioner edhe me një djalë jam, ama çka me bo një person që i ka 4 a 5 persona, çka do të han ai, a duhet me mendu qeveria për ata njerëz apo çetat i kanë mashtru, ka 100 euro ua kanë dhënë edhe çmimet në anën tjetër në hava. A mendon që faturat e rrymës janë rritur padrejtësisht? Normal, ajo dihet… 70 euro është më shumë e shtrenjtuar prej vitit të kaluar”, tha Mustafa.

Inxhinieri i elektroteknikës dhe ish-punonjësi i KEK-ut, Sylejman Krasniqi, ndan shqetësimet e rritjes së faturave të rrymës, duke e cekur se është shumë e vështirë për atë.

“Shumë shtrenjtë. Në KEK nuk ka pas kështu rritje, çdo muaj ka 50 apo 40 përqind. Ja me mbyt nënën, ja babën për me ble gjëra të nevojshme për shtëpi, as sheqer, as kripë, as biber, as… krejt senet u shtrenjtun. Tash ka me u rrit buka, krejt: me zejtari, me sheqer, me tesha, me këmisha, me maica, me krejt kanë me u rrit. S’ka pare mo, s’ka. Për ato po rrehen gjinia, po shkojnë në burg. Nuk e di vallë, se unë as nuk guxoj me mendu atë, se veç me mbyt veten”, theksoi Krasniqi.

I burgosuri politikë, Avdi Xhata është shprehur i revoltuar nga kjo situatë.

“Qeveri kriminale i ka lënduar me qindra policë, që sot këta fëmijët tanë të mjerë e kapin prindërit e tyre pse kundërshton shtrenjtimin e rrymës. Unë plak 70-vjeçar kam me i pri këtij populli për ta përmbys këtë qeveri, qeveri kriminale. Ai kryeministër që ik prej popullit nuk është kryeministër i popullit të Kosovës”, tha Xhata.

Qytetarët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të rishikojnë urgjentisht politikat e çmimeve të energjisë elektrike dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për familjet që mezi po përballojnë shpenzimet mujore./KosovaPress