Osmani: Kosova është e bekuar me mbështetjen e Presidentit Mohamed bin Zayed dhe Emirateve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) është takuar me Presidentin Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani nëpërmjet një shkrimi pas takimit me presidentin e EBA-së, ka thënë se e ka falënderuar atë për lidershipin vizionar dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën “që nga ditët më të vështira e deri më sot”.
Osmani tha se Kosova dhe EBA përgjatë viteve kanë hapur një epokë të re të partneritetit, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit.
“Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm”, tha Osmani.
Presidentja Osmani tha po ashtu se ka vlerësuar lart mirëkuptimin dhe mbështetjen e presidentit Zayed për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që u prezantuan së fundmi në EBA.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve”, përfundoi Osmani.

