Dyshohen për përdorim të parave të falsifikuara në Ferizaj, arrestohen dy shtetas të huaj
Një rast i dyshuar i përdorimit të kartëmonedhës së falsifikuar prej 20 eurosh është raportuar më 06.02.2026 në Prelez të Jerlive në Ferizaj, ku policia identifikoi tre të dyshuar dhe sekuestroi para të dyshuara, një sasi të vogël narkotikësh dhe mjete përcjellëse.
Me urdhër të prokurorit u iniciuan rastet “Falsifikim i parasë” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”, ndërsa dy shtetas palestinezë u ndaluan për 48 orë dhe një shtetas kosovar u lirua pas intervistimit.
Gjatë hetimeve më 07.02.2026, në banesën me qira të të dyshuarve në Ferizaj u gjetën dokumente të huaja, ndërsa u konstatua se njëri prej tyre kishte urdhërarrest ndërkombëtar dhe shoqërohej nga një e mitur kosovare.
Në Kaçanik u sekuestruan 39 kartëmonedha të dyshuara prej 50 dollarësh amerikanë, narkotikë dhe dokumente të huaja, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorinë.
Komunikatë për media:
Falsifikimi i parasë dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge
Me datën 06.02.2026, rreth orës 19:30, në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj, te një pompë e derivateve, është raportuar një rast i dyshuar i përdorimit të kartëmonedhës së falsifikuar në vlerë prej 20 euro. Patrulla policore ka identifikuar tre të dyshuar: Sh. V. (27 vjeç) shtetas i Kosovës dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30 vjeç) dhe M. O. (28 vjeç). Gjatë kontrollit janë sekuestruar një sasi e vogël substance të dyshuar narkotike, dy mulli dhe kartëmonedha e dyshuar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, janë iniciuar rastet “Falsifikim i parasë” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”. Dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Sh. V. është liruar pas intervistimit.
Me datën 07.02.2026, gjatë hetimeve, është identifikuar banesa me qira e të dyshuarve në Ferizaj, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të tjera. Po ashtu, është konstatuar se M. O, kishte urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa ishte shoqëruar nga e mitura kosovare A. T. (17 vjeçe). Gjatë kontrollit në banesën e saj në Kaçanik janë gjetur 39 kartëmonedha prej 50 dollarësh amerikanë të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël e narkotikëve dhe dokumente të huaja. Substanca narkotike i përkiste E. D. (19 vjeçe).
Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar për procedura të mëtejme.
Hetimet janë duke vazhduar deri në kompletimin e rastit.

