Gucati: Lirimi me kusht i Shalës, Smakajt dhe Fazliut është sukses i madh për UÇK-në
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar se lirimi me kusht i Haxhi Shalës, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut nga Gjykata Speciale përbën një sukses të madh, si për ta personalisht ashtu edhe për të gjithë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Gucati është shprehur optimist edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke thënë se epilogu përfundimtar do të jetë në favor të tyre dhe se, sipas tij, ata do të lirohen në muajin maj.
Ai komentoi gjithashtu kërkesën e Prokurorisë së Specializuar për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me nga 45 vjet burgim secili, apo 180 vjet burgim në total, duke e quajtur këtë kërkesë befasuese, por duke shtuar se prokuroria, sipas tij, ka obligim të ndjekë qëndrimin e saj në proces.“Ne e kemi pritur shumë mirë këtë vendim. Është sukses i madh për ta, por edhe për ne si bashkëluftëtarë. Jam shumë optimist se edhe Thaçi dhe të tjerët do të lirohen. Besoj se epilogu përfundimtar do të jetë në favor të katërshes. Jam i bindur se mbrojtja do t’i hedhë poshtë me fakte dhe argumente të gjitha aktakuzat e pretenduara”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka komentuar edhe reagimet e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet në Hagë, duke i vlerësuar ato si pozitive, por të vonuara.“Më erdhi mirë që më në fund reaguan, sepse më mirë vonë se kurrë. Megjithatë, ka ende vend për kritika, pasi që prej pesë vitesh sa ndodhen në paraburgim, kryeministri i vendit nuk i ka vizituar asnjëherë, ndonëse ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Gucati.

