RajoniTop Lajme

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Republikës së Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë

Shpërndaje

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Të dashur qytetarë të Republikës,

Sot, në këtë mbledhje solemne të qeverisë, kujtojmë aktin historik të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Kujtojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit. Nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot, pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull.

Vërtetë shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë.

Shteti i Kosovës është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e të demokracisë, të barazisë e të drejtësisë, prosperitetit dhe të gjithpërfshirjes. Secili qytetar, pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit.

Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri:

Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, e të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit;

Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe kapaciteteve mbrojtëse;

Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore,

Nga lëvizja e lirë pa viza, te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, e të cilat janë arritje që na bëjnë krenar të gjithëve.

Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësinë së Republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë.

Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar, dhe historia do të jetë ajo, e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë.

Të dashur qytetarë,

Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të një mandati të ri qeverisës me besim të madh nga qytetarët e vendit tonë. Punët që na presin janë të shumta dhe pritjet e qytetarëve janë të mëdha, por i lartë është motivi dhe fisnik është qëllimi që kemi para vetës.

Për forcimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, le të angazhohemi të gjithë bashkë me punë, dije dhe integritet.

Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, ushtarë e policë, të rinj e të moshuar, gra e burra, vajza e djem, që të gjithë duhet të japim maksimumin e kontributit tonë.

Sepse, këtë nga ne e presin brezat e shumtë që u flijuan ndër shekuj, si dhe rinia dhe fëmijët e Kosovës, që ne të jemi të lirë e ta kemi shtetin tonë. Le t’i bëjmë krenarë duke punuar e duke e zhvilluar dhe forcuar shtetin.

Qeveria dhe ne si kabinet qeveritar, jemi vetëm instrument në realizimin e këtij qëllimi të përbashkët.

Gëzuar 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Republikës sonë!

Lavdi e nderime të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe shtetin që sot gëzojmë!

Ju faleminderit.