MaqedoniTop Lajme

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, në mbledhjen ndëruniversitare debatoi për dy projektligjet e reja

Shpërndaje

Shkup, 25.02.2026 – Në takimin ndëruniversitar të mbajtur më 24 shkurt 2026 në rektoratin e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mori pjesë në debatin mbi dy projektligjet e reja për arsimin e lartë. Ndonëse përshëndeti iniciativën për dialog të hapur, rektori Fetaji paraqiti kritika të ashpra dhe vërejtje substanciale lidhur me përmbajtjen e këtyre propozimeve.

Gjatë diskutimit, rektori Fetaji analizoi disa çështje thelbësore problematike që prekin integritetin e institucioneve të arsimit të lartë. Ai nënvizoi se disa nene të Projektligjit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me Ligjin për marrëdhëniet e punës.

Një pikë veçanërisht shqetësuese u cilësua parashikimi për krijimin e Këshillit Universitar si organ suprem vendimmarrës mbi Senatin akademik. “Meqenëse mbi 51% e anëtarëve të këtij këshilli propozohet të emërohen nga jashtë komunitetit universitar, parashtrohet pyetja legjitime: sa do të jenë këta anëtarë, të cilët nuk preken drejtpërdrejt nga vendimet e universitetit, në mbrojtje të interesave akademike? Kjo nismë cenon rëndë autonominë akademike dhe parimin e vetëqeverisjes institucionale,” u shpreh Rektori Fetaji.

Më tej, Prof. Dr. Bekim Fetaji ngriti çështjen e varësisë financiare, duke sfiduar kompetencat e Ministrisë së Financave mbi mjetet e gjeneruara nga vetë universitetet:

“Pse Ministria e Financave ka të drejtë të ndryshojë planet financiare për mjetet vetëfinancuese (Neni 109, Paragrafi 9), kur këto nuk janë fonde publike buxhetore, por produkte të aktivitetit të vetë universitetit?“ – pyeti Rektori, duke shtuar se nëse autonomia financiare mbetet vetëm deklarative dhe jo formale-juridike, ajo humb kuptimin e saj.

Në përfundim të fjalës së tij, Rektori theksoi se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mbetet i përkushtuar ndaj mbrojtjes së vlerave universale të universiteteve si tempuj të dijes. Ai rikonfirmoi gatishmërinë e UNT-së për një dialog konstruktiv, por gjithmonë në funksion të forcimit të një arsimi të lartë cilësor, të pavarur dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet që cenojnë autonominë akademike, financiare dhe kushtetuese.