PARADOKS QEVERITAR: Lehtësime për kazinotë, masa shtrënguese për universitetet!
Një analiza e garancive bankare zbulon dallime të thella në qasjen rregullatore të shtetit ndaj industrisë së lojërave të fatit dhe arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta KOHA.
Në sektorin e lojërave të fatit – kazinotë, shteti aplikon një qasje fikse. Subjektet që operojnë kazino janë të obliguara të sigurojnë garanci bankare në vlerë prej 12% të kapitalit të detyrueshëm themelues.
Kjo përqindje funksionon si një mekanizëm likuiditeti për të garantuar pagesat aktuale ndaj lojtarëve dhe detyrimet ndaj buxhetit të shtetit, pavarësisht nga qarkullimi real financiar i shoqërisë. Modeli synon stabilitet financiar minimal dhe mbrojtje institucionale në rast të vështirësive operative.
Por, ndryshe nga industria e kazinove, arsimi i lartë funksionon mbi një model proporcional, të lidhur drejtpërdrejt me pagesat e studentëve, shkruan KOHA.
Sipas Ligjit aktual për arsimin e lartë, themeluesi i një institucioni universitar privat duhet të depozitojë një garanci bankare të parevokueshme, të pagueshme në thirrjen e parë, në vlerë prej 25% të shumës së shkollimit për numrin e studentëve të përfshirë në akreditim.
Megjithatë, zhvillimet më të fundit legjislative paralajmërojnë një shtrëngim të ndjeshëm të kësaj mase. Propozim-Ligji i ri për Arsimin e lartë, i publikuar në shkurt 2026 dhe që po kundërshtohet nga universitetet, parashikon rritjen e garancisë në 100% të shkollimit për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve për secilin cikël.
Qëllimi institucional i kësaj ndërhyrjeje, sipas propozuesit – Ministrisë së Arsimit, është mbrojtja e plotë e mjeteve të studentëve në rast të mbylljes eventuale të universitetit.
Nga ana tjetër, institucionet private të arsimit të lartë argumentojnë se një barrë e tillë financiare do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kostos së programeve studimore, duke e transferuar presionin financiar te studentët.
Dallimi midis modelit fiks prej 12% për kazinotë dhe propozimit për 100% në arsimin e lartë hap debat mbi proporcionalitetin e politikave publike dhe balancën mes mbrojtjes së konsumatorit dhe qëndrueshmërisë së sektorëve të ndryshëm ekonomikë.

