RajoniTop Lajme

REL: Rasti për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi dërgohet në Gjykatën e Strasburgut!

Shpërndaje

Një padi lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë është dërguar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, bëri të ditur avokati Drini Grazhdani, përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, padia kundër Serbisë është rezultat i një “pune të përbashkët juridike dhe njerëzore” dhe lidhet me një çështje që, siç tha, ka rëndësi të gjerë publike.

Ai falënderoi bashkëpunëtorët për përgatitjen e rastit, ndërsa veçoi edhe Teuta Fazliun, e cila, sipas tij, ka pranuar të përfaqësojë çështjen në fjalë.

“Ky rast nuk ka të bëjë vetëm me një individ, por me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndalimin e praktikave diskriminuese sistematike”, shkroi ai.

Pasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Ky veprim rezulton me humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor e pension, si dhe për t’u punësuar, informon REL.

Çështja është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe nga Qeveria e Kosovës, e cila e ka cilësuar praktikën si diskriminuese. Për këtë temë janë organizuar edhe protesta ndër vite.

Në Raportin e Progresit për Serbinë të publikuar më 4 nëntor nga Komisioni Evropian, në pjesën për mbrojtjen e minoriteteve thuhet se “pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të ngrenë shqetësime lidhur me mënyrën se si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, duke rezultuar me ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara”.

Në raport theksohet se autoritetet duhet t’i shpjegojnë më mirë publikut mënyrën e kryerjes së këtyre kontrolleve dhe të adresojnë shqetësimet për mungesë të mjeteve efektive të ankimimit.

Çështja e pasivizimit është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, ku thuhet se kjo praktikë duket se është zbatuar në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

Në raportin e Komisionit Evropian po ashtu thuhet se plani i veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione “ende nuk ka prodhuar rezultatet e duhura” dhe se pakicat kombëtare vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në administratën publike dhe në polici.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në këtë shtet.

Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin – në raportet ndërkombëtare konsiderohet si zonë e izoluar, që merr vëmendje kryesisht në periudha zgjedhore.

Në korrik të këtij viti, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dorëzoi një draft-rezolutë për situatën e shqiptarëve në Luginë, duke kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe që të pezullohen masat administrative për pasivizim të adresave.