MaqedoniTop Lajme

Mexhiti: Kampusi i ri i UNT-së, themel i një epoke të re për arsimin shqip

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Çairi, Izet Mexhiti, ka vlerësuar vendosjen e gurthemelit të kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” si një ndër projektet më të rëndësishme strategjike për arsimin shqip dhe zhvillimin afatgjatë të komunitetit shqiptar në vend.
Sipas tij, ky investim madhor jo vetëm që përmirëson infrastrukturën akademike, por e pozicionon Shkupi si një qendër të konsoliduar universitare dhe intelektuale për shqiptarët.

Kreu i Çairit thotë se ky kampus është arkitektura e së ardhmes sonë kolektive. Sipas Mexhitit kjo është vendim për ta fuqizuar arsimin në gjuhën shqipe me përgjegjësi dhe cilësi.

Shkrimi i plotë i Mexhitit në Fejsbuk:

Ka momente historike që nuk maten me fjalë, por me themele. Momente kur një gur i vendosur sot, bëhet simbol i një epoke të re nesër. Vendosja e gurthemelit për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” është pikërisht një moment i tillë, një akt vizioni, një deklaratë zhvillimi, një kapitull i ri për arsimin shqip. Ky është investim që ndryshon trajektoren e së ardhmes. Është projekt që forcon identitetin akademik, ngrit standardet dhe e vendos dijen shqiptare aty ku e ka vendin, në infrastrukturë moderne, në kushte dinjitoze, në horizonte evropiane.
Me 42 milionë euro investim, po ndërtohet një kompleks universitar modern që do të transformojë hapësirën akademike shqiptare. Amfiteatro bashkëkohore, objekte mësimore me standarde të larta, salla sportive dhe pishinë për studentët, një ekosistem i plotë ku zhvillohet mendimi kritik, profesionalizmi dhe kultura. Ky kampus është arkitektura e së ardhmes sonë kolektive. Është besim në rininë tonë. Është vendim për ta fuqizuar arsimin në gjuhën shqipe me përgjegjësi dhe cilësi. Shkupi po konsolidohet si qendër universitare dhe akademike për shqiptarët. Energjia intelektuale po merr hapësirën që i takon. Vizioni po shndërrohet në strukturë, në institucion. Ne ndërtojmë me bindje. Ne veprojmë me përgjegjësi. Ne lëmë gjurmë që mbeten. Urime!