MaqedoniTop Lajme

Kaltrina Zekolli: Universiteti “Nënë Tereza” me leje ndërtimi për kampusin e ri universitar

Shpërndaje

Zv.ministrja e Transportit, znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot Universiteti “Nënë Tereza” ka siguruar lejen për ndërtimin e plotë të kampusit të ri universitar, njofton albazone media.

Ajo theksoi se pas një angazhimi të vazhdueshëm dhe me përkushtim maksimal nga ana e saj dhe ekipit përkatës, është arritur të finalizohet procedura për këtë projekt madhor, i cili kap vlerën e 42 milionë eurove.

Postimi i plotë:

Universiteti “Nënë Tereza” me leje ndërtimi për kampusin e ri universitar
Sot e kam zemrën plot, sepse pas një angazhimi të vazhdueshëm, me përkushtimin më të madh të mundshëm si zëvendësministre e Transportit, së bashku me ekipin arritëm të sigurojmë lejen për ndërtimin e plotë të kampusit të ri universitar, i cili ka një rëndësi të veçantë për përmirësimin e kushteve, sipas standardeve evropiane, për gjeneratat e ardhshme të studentëve dhe stafit akademik.
Ky është një investim që arrin vlerën e 42 milionë eurove, ku do të përfshihet ndërtimi i një kompleksi universitar modern, amfiteatrove bashkëkohore, objekteve mësimore me standarde të larta, sallave sportive dhe pishinës për studentët. Një ekosistem i plotë ku zhvillohet mendimi kritik, profesionalizmi dhe kultura.
UNT, falë investimeve të tilla në të ardhmen do të shndërrohet në një ndër qendrat universitare më moderne në rajon.
Në këtë rrugëtim, VLEN po punon me përkushtim dhe vizion të qartë, që fëmijët tanë nesër të kenë hapësirat cilësore që meritojnë, kushte moderne dhe mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin tonë. Ky investim është vetëm fillimi dhe një dëshmi se angazhimi dhe përkushtimi ynë në përmirësimin e infrastrukturës arsimore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjithashtu, uroj edhe të gjithë stafin akademik të UNT-së për bashkëpunimin.