Rektori Fetaji: 7 Mars vendosen temelet e shtëpisë së UNT-së, “Tempullit të dijes dhe Humanizmit” në qendër të Shkupit
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të shënojë një moment të rëndësishëm në historinë e tij me hedhjen e gurthemelit të kampusit të ri universitar. Ceremonia do të mbahet më 7 mars 2026, në orën 12:30, në hapësirat e ish-kazermës “Ilinden”, ku pritet të nis ndërtimi i kompleksi i ri modern universitar.
Rektori i universitetit, prof.dr. Bekim Fetaji, e cilësoi këtë moment si ditën më të rëndësishme në historinë dhjetëvjeçare të institucionit. Sipas tij, zgjedhja e datës nuk është e rastësishme, pasi 7 Marsi – Dita e Mësuesit ka një simbolikë të veçantë për arsimin shqiptar dhe për rrugëtimin e gjeneratave të mësimdhënësve.
Ai theksoi se vendosja e gurthemelit nuk është vetëm një akt simbolik ndërtimi, por fillimi i krijimit të një hapësire – një shtëpi të përhershme për arsimin, shkencën dhe inovacionin në kryeqytet.
“Nga 218 studentë në mbi 3500, Universiteti ‘Nënë Tereza’ u themelua me ligj më 24 dhjetor 2015, ndërsa dyert për studentët i hapi në tetor të vitit 2016. Në atë kohë universiteti kishte vetëm 218 studentë, ndërsa ligjëratat zhvilloheshin në hapësira të huazuara, si në ambientet e Lidhjes së Sindikatave dhe në shkollën fillore ‘Kongresi i Manastirit’. Sot universiteti ka mbi 3500 studentë të rregullt dhe rreth 4800 studentë në total, ndërsa veprimtarinë e zhvillon në hapësirat e ish-kazermës ‘Ilinden’. Institucioni funksionon me tetë fakultete: Ndërtimtari dhe Arkitekturë, Shkenca Informatike, Shkenca Teknike, Shkenca Teknologjike, Shkenca Sociale, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave Humane”, ka thënë Fetaji.
Kompleksi i ri universitar, sipas rektorit, do të ndërtohet në një sipërfaqe toke prej 22.000 metrash katrorë, ndërsa sipërfaqja totale e projektuar e objekteve do të arrijë në 95.102 metra katrorë.
“Kampusi do të përfshijë ndërtesat e tetë fakulteteve, hapësira administrative, bibliotekë moderne, laboratorë, sallë sporti, pishinë gjysmëolimpike, hapësira për ekspozime, restorant universitar, garazha dhe infrastrukturë të plotë akademike. Projekti është konceptuar si një ekosistem i plotë universitar, me standarde bashkëkohore për arsimin e lartë. Vendimi për ndërtimin e kampusit u miratua nga Qeveria më 3 shtator 2024, me një investim prej 34.5 milionë eurosh”, tha rektori, ndërsa shtoi se deri më tani universitetit i janë ndarë rreth 150 milionë denarë për fazën përgatitore të projektit.
“Ministria e Transportit ka miratuar transferimin e tokës në pronësi të universitetit, duke hapur rrugën për realizimin e projektit. Sipas planifikimit aktual, ndërtimi i kampusit pritet të përfundojë brenda katër viteve”.
Rektori Fetaji theksoi se kampusi i ri nuk është vetëm një investim për universitetin, por edhe për zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend. Ai nënvizoi se projekti do të krijojë kushte moderne studimi dhe kërkimi për studentët dhe stafin akademik, duke përfshirë laboratorë bashkëkohorë, salla leksionesh me teknologji moderne dhe hapësira që nxisin inovacionin.
“Ky kampus nuk ndërtohet vetëm për UNT-në, por për Shkupin dhe për të ardhmen e arsimit në vend”, theksoi Fetaji.

