Izet Mexhiti: Me një vlerë prej 42 milionë eurosh, ky projekt është investimi më i madh në arsimin shqip në Maqedoninë e Veriut!
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti në ditën e hedhjes zyrtarisht të gurthemelit të Kampusit më modern të Universitetit “Nënë Tereza”, tha se ky projekt është invesitmi më i madh në arsimin shqip në Maqedoninë e Veriut.
Postimi:
Sot vendosëm gurthemelet e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”.
Ky është një moment historik.
Me një vlerë prej 42 milionë eurosh, ky projekt është investimi më i madh ndonjëherë në arsimin shqip, në Maqedoni, dhe nga investimet më të mëdha rajon.
Këtu po ndërtohet një kampus universitar i standardeve më moderne, i konceptuar për të përmbushur kërkesat e arsimit bashkëkohor dhe të kërkimit shkencor.
Por rëndësia e këtij projekti nuk qëndron vetëm në arkitekturë dhe infrastrukturë.
Ky kampus e shndërron Shkupin e Çairin, në një qendër të rëndësishme universitare për shqiptarët.
Kjo do të thotë që të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi të studiojnë në një universitet modern, edhe në gjuhën e tyre, në kushte që i përgatisin për tregun global të dijes dhe të ekonomisë.
Ndihem pafundësisht krenar, që pata fatin historik të realizojë këtë aspiratë të popullit shqiptar, në këtë nënqiell.
Sepse investimet në arsim janë investimet që ndërtojnë të ardhmen e një kombi.
Sepse aty ku ndërtohen universitete, ndërtohet fuqia intelektuale e një kombi.
Aty ku ndërtohen universitete, ndërtohet elita akademike dhe profesionale e shoqërisë.
Aty ku ndërtohen universitete, ndërtohet identiteti kulturor dhe gjuhësor i një populli.
Kjo është arsyeja pse ky projekt ka një dimension shumë më të madh se çdo investim tjetër publik.
Historia e një kombi nuk shkruhet vetëm në libra. Historia shkruhet edhe me gurë.
Me gurët e shkollave.
Me gurët e universiteteve.
Me gurët e institucioneve që mbrojnë gjuhën, dijen e një populli.
Dhe sot, këtu në Shkup, po vendosim një nga ata gurë që do të mbajë mbi vete peshën e së ardhmes.
Universiteti “Nënë Tereza” do të jetë një qendër e fuqishme e dijes, e kërkimit shkencor dhe e zhvillimit akademik për shqiptarët.
Prandaj kjo ditë shënon fillimin e një kapitulli të ri për arsimin shqip.
Sepse një vend që investon në arsim, investon në fuqinë e vet më të madhe.
Dhe shumë vite nga sot, kur mijëra studentë do të kalojnë nëpër këtë kampus, kur profesorë dhe studiues do të zhvillojnë kërkime dhe ide të reja, kur breza të tërë profesionistësh do të dalin nga këto auditore, atëherë do të kujtohet kjo ditë.
Dita kur u vendosën gurët e parë të një projekti që e çoi arsimin shqip në një nivel më të lartë.
Dita kur u hodhën themelet e një institucioni që do të ndikojë për dekada në zhvillimin e shoqërisë sonë.
Do ta kujtojmë këtë ditë, sepse sot po ndërtojmë një pjesë të historisë sonë.
Urime!

