Rama shtron iftar në Pallatin e Kongreseve: Kjo sofër na afron më shumë me njëri-tjetrin
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë shtruar mbrëmjen e kësaj të enjteje sofrën e iftarit në kuadër të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Gjatë fjalës së tij nga Pallati i Kongreseve, Rama u shpreh se sofra e iftarit është e vetmja sofër që na afron më shumë me njëri‑tjetrin dhe se argjerimi sipas tij, i mëson njeriut durimin e vetvetes.
“Sofra e Iftarit është e vetmja sofër në të cilën je edhe shtrues edhe i shtruar, edhe zot shtëpie edhe mik. Kjo sofër na afron më shumë me njëri-tjetrin. Rreth kësaj sofre, ligji i padukshëm që jeton brenda çdo qenie njerëzore, merr në zotërim territore të caktuara të mendjes dhe të shpirtit. Argjerimi i mëson njeriut durimin e vetvetes dhe rrugën e zbutjes së paraardhësit të vetës së parë të shpirtit që ka brenda vetes.
Në momentin e uljes në sofrën e iftarit, shënohet fundi i urisë së trupit me ligjin moral brenda qënies së njeriut, përmes bukës së ndarë mes njerëzve.
Njerëz që vijnë nga vende të ndryshme, me profesione të ndryshme, që luten ose që nuk luten fare, po ulen bashkë, sepse ndryshe nga të gjitha uljet e tjera, kjo e iftarit ka një dritë ku ndërthuren qetësisht drita e jashtme sipër nesh me atë të brendshme të secilit prej nesh.
Në një ditë si kjo, mbledhur në sofrën e një tjetër fundi i muajit të Ramazanit është e pashmangshme përmendja e konfliktit të armiqësive që njerëzit i krijojnë anës së tyre, monopolizojnë të vërtetën dhe anës së tjetrit, duke i lënë frikës nga tjetri vendin e besimit, duke i dhënë identitetin, rolin e armës dhe urrejtjes kodet e arsyes.
Kështu, rrugët dhe kanalët e komunikimit mes njerëzve kthehen në shtigje sherri dhe vija helmi.
Kjo është thirrja e qetë që mban mbledhur sofrën e Iftarit, ku dyshimi merr vendin e mirëkuptimit, ndryshimi mes nesh bëhet vlerë brenda nesh, dallimet theksohen sepse na bien më shumë në sy, ky argjeron, ky nuk argjëron, ky vjen nga këndej, ky nga andej, por në fund konflikti tretet”, u shpreh Rama.

