BotaTop Lajme

Irani lejon anijet japoneze të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

Shpërndaje

Irani është i gatshëm të ndihmojë anijet japoneze për të kaluar në mënyrë të sigurt në Ngushticën e Hormuzit. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për agjencinë japoneze Kyodo News.

Japonia varet në masë të madhe nga importet e naftës bruto nga Lindja e Mesme, pjesa më e madhe e së cilës kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme tregtare për furnizimin global me energji.

Në praktikë, Irani ka kufizuar aksesin në këtë ngushticë si përgjigje ndaj sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, duke i detyruar vendet që varen nga kjo rrugë detare të kërkojnë alternativa dhe të përdorin rezervat e tyre strategjike.

“Ne nuk e kemi mbyllur ngushticën. Ajo është e hapur”, ka deklaruar Araghchi gjatë një interviste telefonike për Kyodo News. Sipas tij, vendet që sulmojnë Iranin përballen me kufizime, ndërsa për vendet e tjera ofrohet asistencë.

Ai shtoi se Irani është i gatshëm të garantojë kalime të sigurta për anijet japoneze.

Japonia, ekonomia e katërt më e madhe në botë dhe importuesi i pestë i naftës, siguron rreth 95% të nevojave të saj për energji nga Lindja e Mesme, ndërsa rreth 70% e kësaj sasie kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, Tokio ka njoftuar se ka filluar të përdorë rezervat strategjike të naftës, të cilat janë ndër më të mëdhatë në botë dhe mbulojnë rreth 254 ditë konsum të brendshëm.

Më 11 mars, vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ranë dakord të përdorin rezervat e tyre të naftës për të zbutur rritjen e çmimeve të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, në atë që konsiderohet si operacioni më i madh i këtij lloji i ndërmarrë ndonjëherë.