RajoniTop Lajme

Shpallen të pafajshëm Haxhiu dhe të tjerët për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Shpërndaje

Albulena Haxhiu, aktualisht Kryetare e Kuvendit të Kosovës, së bashku me ish-deputetët Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj dhe Besa Baftiu janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë në rastin e njohur për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, pas një procesi që zgjati rreth 10 vite.

Lajmin e konfirmoi avokati Musa Damati, përfaqësues i Pal Lekajt, i cili e cilësoi vendimin si “triumf të drejtësisë” dhe sukses të mbrojtjes. Ai deklaroi se gjykata ka dështuar të vazhdojë procedimin e rastit dhe, në aktgjykimin përfundimtar, klienti i tij është shpallur plotësisht i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Sipas Damatit, rasti – i cili lidhet me hedhjen e bombolave të gazit lotsjellës në Kuvend – është shqyrtuar për vite me radhë, me dhjetëra seanca gjyqësore, derisa në fund përfundoi me lirimin nga akuzat.

Ndërkaq, avokati i Haxhiut, Burim Halili, tha se veprimet e saj në atë kohë kishin të bënin me kundërshtimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se gjatë gjithë procesit nuk është arritur të provohet ndonjë vepër penale.

Ai theksoi se rasti kishte kaluar edhe në rigjykim pas një aktgjykimi të mëhershëm në vitin 2021, por prokuroria nuk kishte arritur të dëshmojë fajësinë e të akuzuarve. Sipas tij, çështja u zvarrit ndër vite dhe përfundoi edhe me elemente të parashkrimit, duke rezultuar në lirimin e tyre nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Ky vendim shënon përmbylljen e një prej rasteve më të gjata dhe më të debatueshme politike-juridike në Kosovë.(Telegrafi)