MaqedoniTop Lajme

Izet Mexhiti: Koha e përçarjes mbaroi, nga sot shqiptarët bashkohen në VLEN

Shpërndaje

Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se për herë të parë në historinë pluraliste të Maqedonia e Veriut, shqiptarët nga provinienca të ndryshme politike po bashkohen në një front të përbashkët.

Sipas tij, ky bashkim përfshin spektrin e gjerë politik – nga e djathta në të majtë, si dhe figura të reja dhe me përvojë – duke u materializuar në kuadër të VLEN-it.

Mexhiti thekson se ky zhvillim përfaqëson përgjigjen më të fortë ndaj, siç shprehet ai, përpjekjeve shumëvjeçare për përçarjen e votës shqiptare. Ai vlerëson se ky është fundi i politikave përçarëse dhe fillimi i një epoke të re të fuqizimit politik të shqiptarëve në vend.

“Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta, për pazare në kurriz të qytetarëve apo për politika që na mbajnë të ndarë. Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm”, ka shkruar Mexhiti.

Ai e ka cilësuar këtë moment si vendimtar, duke theksuar se alternativa është e qartë: “Ose bashkë, ose të humbur”.

Në fund, Mexhiti nënvizon se VLEN paraqet një bashkim që, sipas tij, nuk mund të ndalet, duke shtuar se kur shqiptarët bashkohen, askush nuk mund t’i ndalë.