RajoniTop Lajme

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s, rezultat i sensibilizimit ndërkombëtar për tragjedinë në Kosovë

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO mbi Jugosllavi, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si vendimtare për ndalimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Kurti në një postim në Facebook ka theksuar se ndërhyrja e NATO-s ndodhi si rezultat i sensibilizimit të botës demokratike për tragjedinë e popullit të Kosovës, e cila, sipas tij, kishte kulmuar gjatë viteve 1998-1999.

“Tragjedia e popullit të Kosovës e shtrirë ndër dekada por e kulmuar në luftën e viteve 1998 dhe 1999, e sensiblizoi botën demokratike perëndimore dhe e vuri në lëvizje aleancën më të madhe ushtarake në histori, NATO-n, për të ndërhyrë ushtarakisht me qëllim të ndalimit të gjenocidit, spastrimit etnik dhe krimeve të tjera shtetërore të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Duke e pasuar luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi dhe hyrja e trupave të saj pastaj në Kosovë në qershor të vitit 1999, e solli lirinë e Kosovës. Kjo i hapi rrugë ndërtimit të demokracisë dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Andaj e kujtojmë me mirënjohje ndihmën e jashtëzakonshme të të gjitha vendeve të NATO-s dhe nderojmë veçanërisht rolin e SHBA-së në rrugën e popullit të Kosovës për liri me demokraci dhe shtetndërtim me integrim”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se, pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërhyrja ajrore dhe më pas hyrja e trupave ndërkombëtare në Kosovë hapën rrugën për lirinë, ndërtimin e demokracisë dhe shtetformimin.

Kurti në këtë postim ka përmendur se si atëherë presidenti amerikan, Bill Clinton, pati paralajmëruar ndërhyrjen ushtarake si mjet për të ndalur shtypjen dhe për të rikthyer paqen në Kosovë.