MaqedoniTop Lajme

Buka, sheqeri dhe kripa nuk janë shtrenjtuar! Sipas LSM-së, nuk ka rritje të madhe të çmimeve të ushqimit në muajin mars

Shpërndaje

Tek produktet më të lira ushqimore, të cilat mund të gjenden në gjashtë zinxhirë marketesh në të gjithë vendin dhe që përdoren nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për formimin e shportës së konsumit, në mars në krahasim me shkurtin pothuajse nuk ka rritje të çmimeve të produkteve ushqimore. Kjo mund të shihet nga të dhënat që LSM ia dërgoi TV21.

Nëse shihen veç e veç, buka, sheqeri dhe kripa nuk janë shtrenjtuar. Ka rritje të vogla çmimesh tek disa produkte të qumështit, kryesisht tek djathi i lopës për 10 denarë dhe tek djathi i lopës dhe i përzier për 14 dhe 25 denarë. Tek mishi nuk ka rritje çmimesh, ndërsa tek frutat dhe perimet tek disa produkte ka rritje, e tek disa ulje.

Është interesante që sindikalistët kanë arritur të gjejnë vaj për gatim për 96 denarë për litër, që është tre denarë më lirë se në shkurt dhe për rreth 10 denarë më ulët se çmimi i zakonshëm.

Nga LSM pohojnë se ata kërkojnë çmimet më të lira nga më të lirat që mund të gjenden në gjashtë zinxhirët e marketeve në vend, prandaj kanë arritur të gjejnë vaj kaq të lirë për gatim.

Ndërkaq, ekonomisti Viktor Mitevski nga Shoqata për hulumtime dhe analiza thotë se kriza globale me energjetikën ende nuk është reflektuar tek ne dhe që është e pritshme nëse vazhdon të eskalojë, do të ketë një ndikim të vonuar. Ai për pyetjen, e cila po bëhet gjithnjë e më shpesh në publik, nëse qeveria duhet të fillojë të mendojë për marrjen e masave konkrete për kontrollin e çmimeve në shitje me pakicë, thotë se kjo është një çështje që momentalisht nuk duhet të flitet shumë, sepse disa nga rrjedhat ekonomike udhëhiqen nga pritshmëritë.

“Ajo që qeveria duhet të bëjë tani është të monitorojë me kujdes situatën, të kryejë vazhdimisht monitorim të tregjeve dhe më e rëndësishmja, në mënyrë të qëndrueshme të zbatojë Ligjin për praktikat të pandershme tregtare. Nëse ka kontroll mbi këto pjesë, atëherë është e pritshme që në momentin kur dhe nëse ndodh një vonesë e kësaj krize, të mund të reagojë në mënyrë adekuate. Dhe kur të reagojë, masat nuk duhet të jenë të njëjta dhe gjithëpërfshirëse, sepse përvoja na ka treguar se trajtimi me masa të tilla nuk sjell rezultat të madh, ndoshta ruan standardin e qytetarëve, por ajo që goditet është hapësira fiskale, d.m.th. pozita fiskale e shtetit”, tha Viktor Mitevski, ekonomist.

Mitevski thotë se edhe nëse ka masa që do të kontrollojnë çmimet në shitje me pakicë, ato duhet të jenë të synuara në mënyrë adekuate tek qytetarët dhe kompanitë më të prekura.

Ndërkaq, TV21 kontaktoi edhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut për të verifikuar nëse ka pasur rritje çmimesh në mars krahasuar me shkurtin. Edhe aty konfirmuan informacionet e LSM-së se nuk janë vërejtur devijime të mëdha të çmimeve, përveç tek vaji për gatim dhe tek vezët. Vaji është shtrenjtuar sepse është produkt i tregut, dhe vezët për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të sojës dhe misrit.