Rama: Shqipëria po mbyll kapitullin e krimit të organizuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në edicionin e dytë të “Matchmaker Albania”, vuri theksin te transformimi ekonomik i Shqipërisë, duke vënë në dukje rritjen e turizmit dhe investimeve të huaja në vend.
“Sot, si dëshmi ndryshimi, kemi ecur nga një vend me pak muaj turizmi, me pak milionë turistë, me 300-400 milionë investime të huaja të drejtpërdrejta, në një vend me shumë më tepër muaj turizmi, me 12 milionë turistë dhe me 1.6 miliardë investime të huaja të drejtpërdrejta në vit”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë edhe pretendimet për korrupsion dhe krim të organizuar, duke theksuar se vendi është në rrugën e duhur.
“Nuk më duket si një vend që po vuan nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar. Më duket si një vend i cili po e lë pas korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe ky është fakt”, deklaroi ai.
Rama propozoi edhe një mënyrë simbolike për të testuar perceptimin e investitorëve të huaj mbi klimën e biznesit në Shqipëri.
“Do të isha shumë i lumtur nëqoftëse do të bëhej një votim i fshehtë këtu… do të doja votën e fshehtë nga të gjithë ata investues të huaj që vijnë, që punojnë për Shqipërinë apo që punojnë me Shqipërinë. Dhe do të përfshija një pyetje mjaft të thjeshtë: a keni pasur eksperiencë korrupsioni?”, tha ai.
Sipas kryeministrit, objektivi është që shumica dërrmuese e investitorëve të mos kenë përjetuar korrupsion.
“Unë synoj të marr 98% ‘jo’. Pra, ne do të synojmë të arrijmë 100 %, por të gjithë ata që këndojnë këtë refren çdo ditë e përsëri duhet të ndalen”, përfundoi Rama.

