Kurti: Vrasjet dhe zhdukjet me dhunë, dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës ka përkujtuar viktimat në masakrat në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Padalishtë, Landovicë dhe Gjakovë në 27-vjetorin e tyre.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, kryeministri Kurti përmendi numrin e civilëve të vrarë si dhe të zhdukurit në këto masakra që ndodhën pranverën e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Postimi nga KURTI:
Në këtë 27-vjetor, nderojmë kujtimin e të vrarëve në masakrat në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Padalishtë, Landovicë dhe Gjakovë.
Sot kujtojmë me dhimbje 243 civilët e vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të Vogël, më 26 mars 1999. Forcat e armatosura të Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, ndërsa dogjën mbi 700 shtëpi, bashkë me institucione fetare e kulturore.
Nuk i harrojmë 48 anëtarët e familjes Berisha në Suharekë (trupat e të cilëve u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit), 19 anëtarët e familjes Imeraj në Padalishtë, si dhe 23 të vrarët në Landovicë e gjashtë të vrarët në Gjakovë.
Këto vrasje e zhdukje me dhunë janë dëshmi të fuqishme të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Përballë këtyre krimeve, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si imperativ moral, juridik dhe historik.
Si Republikë, kemi përgjegjësi të dyfishtë: ndaj së kaluarës dhe ndaj së ardhmes. Ndaj së kaluarës, duke dokumentuar e kërkuar llogari për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ndaj së ardhmes, duke u angazhuar për paqe të qëndrueshme, për jetë më të mirë të brezave të rinj, e për ata të cilët do të vijnë pas nesh.
Si institucione e si qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë për Republikën tonë, ashtu siç ishin idealet e dëshmorëve e martirëve, ashtu siç janë dëshirat e rinisë e ëndrrat e fëmijëve tanë.
Me zemrat e mbushura plot dashuri, respekt dhe krenari, përkulemi sot e gjithmonë para kujtimit të të gjithë të vrarëve tanë. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

