MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Mbetem në qëndrimin për një njësi zgjedhore, ku do të votonte edhe diaspora

Shpërndaje

Kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin për një njësi zgjedhore, ku do të votonte edhe diaspora.

Ai sqaroi se ligjërisht duhet të rregullohet shpallja e përkohshme e eksterritorialitetit në disa vende ku do të organizohej votimi, dhe se kjo do të vlejë vetëm për zgjedhjet.

“Absolutisht, ne nuk i ndërrojmë menjëherë qëndrimet. Ne jemi për një njësi zgjedhore. Këtë e thash edhe në takimin e liderëve, normalisht të ketë një prag që do të negociohet bashkë me partitë e tjera politike. Në këtë një njësi zgjedhore logjikisht duhet të votojë edhe diaspora, por problemi kryesor me votimin në diasporë është fakti se disa përfaqësi diplomatike janë në distanca të mëdha dhe nuk ka interes të madh. Kjo veçanërisht vlen për kontinentin australian dhe Amerikën e Veriut. Vlerësoj se, nëse do të ishte e mundur, dhe kjo varet nga legjislacioni vendas, të hapeshin vende votimi në më shumë ambiente dhe jo vetëm në përfaqësitë diplomatike, në mënyrë që procesi të jetë më i suksesshëm”, tha Mickoski.

Mickoski komentoi edhe për raportimet në media me atë se Zonja e Parë e SHBA-së Melania Trump e quajti Maqedoninë e Veriut si Maqedoni në një Samit Global në Shtëpinë e Bardhë, të cilat shkaktuan konfuzion, pas të cilit reagoi Ambasada e Greqisë në Uashington.

“E lexova atë artikull në median e fqinjit tonë jugor. Supozoj se burimi është diplomatik. A mund ta besojë dikush që fjalimi i Zonjës së Parë të SHBA-së, përpara se ta thotë publikisht, shkon te një përfaqësues diplomatik për shqyrtim? Unë nuk e besoj këtë, ose nëse kjo ka ndodhur, atëherë SHBA-të kanë një problem serioz sigurie në protokoll.

Fakti që supozoj se disa nga diplomatët e një ambasade duan të jenë interesantë për median, kështu që e paraqesin atë si një sukses të madh diplomatik, është një temë tjetër. Nga përvoja ime, është shumë e vështirë, ose më saktë e pamundur që dikush nga jashtë të arrijë te fjalimi i Zonjës së Parë të SHBA-së. Mendoj se ata që e shpikën këtë kanë bërë një serial dramatik të pasuksesshëm”, tha Mickoski në hapjen e një nënstacioni të ri “TS Centrala” në Shkup.