RajoniTop Lajme

Kurti: Drejtësia e vonuar, është drejtësi e cunguar

Shpërndaje

Në shënimin e përvjetorit të 27-të të masakrës së Pastaselit, kryeministri Albin Kurti tha se më 31 mars në ditën kur u vranë 106 civilë shqiptarë, bashkë me ta u goditën rrënjët e trashëgimia.

“Ndër ta kishte edhe fëmijë, djem të moshës 13 deri 17 vjeç, të cilët të rrahur e të torturuar i rreshtuan përballë vdekjes dhe i vranë pa mëshirë, duke vrarë ëndrrat e një brezi të ri. Kishte edhe pleq, burra me plis të bardhë në kokë simbol i urtësisë dhe i traditës sonë kombëtare. Në atë ditë bashkë me ta u goditën rrënjët e trashëgimia, u goditën fëmijë e pleq, fillimi dhe vazhdimësia”, tha kryeministri.

Ai në këtë përvjetor përkujtues theksoi se Serbia kreu gjenocid në Kosovë, duke menduar se do të zhdukë shqiptarët.

“Derisa Kosova është në dritë, e lirë dhe pavarur, Serbia u vendos në faqet e errëta të historisë së njerëzimit”, tha Kurti në këtë ceremoni.

“Ne do të vazhdojmë të dokumentojmë të vërtetën, të kërkojmë drejtësi në një Kosovë ku krimet nuk harrohen e as nuk relativizohen, një Republikë të paqes së qëndrueshme mbi të vërtetën dhe drejtësinë”, shtoi ai.

Kurti tha se në dhjetorin e kaluar, është dorëzuar kallëzim penal për këtë masakër, një hap ky, sipas tij, i domosdoshëm drejt drejtësisë.

“Është detyrë e institucioneve të drejtësisë, që këto të shndërrohen në aktakuza ndaj ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve. Drejtësia e vonuar, është drejtësi e cunguar. Por, ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë, sepse krimi nuk përfundoi me vrasje. Tri javë më vonë u tentua të fshihej edhe e vërteta, me zhvarrosjen dhe zhdukjen e trupave, por e vërteta nuk zhduket”, deklaroi tutje kreu i qeverisë.

Ai tha se dhimbja e familjarëve është pjesë e shtetit dhe e popullit, e kujtimi është obligim moral shoqëror dhe themel i shtetësisë.

“Kujtesa nuk është vetëm e kaluar, është mbrojtje e së ardhmes. Një popull që kujton nuk lejon përsëritjen. Dokumentimi është akt respekti ndaj jetës së secilit e secilës që u vra, u zhduk apo u torturua gjatë luftës”, tha tutje Kurti.

Shefi qeveritar tha se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi aspiratën për liri dhe barazi. “Ne do të vazhdojmë të dokumentojmë të vërtetën, të kërkojmë drejtësi në një Kosovë ku krimet nuk harrohen e as nuk relativizohen, një republikë të paqes së qëndrueshme mbi të vërtetën dhe drejtësinë”.