RajoniTop Lajme

Gërvalla: Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, dhe askush nuk guxon të përfitojë pasuri që nuk mund ta justifikojë

Shpërndaje

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, dhe askush nuk guxon të përfitojë pasuri që nuk mund ta justifikojë. Pas miratimit në Qeveri të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti mbajtëm konferencë për media. Rëndësia e këtij projektligji qëndron në vendosjen e mekanizmave të qartë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe llogaridhënies.
***
Fjala ime e plotë në konferencën për media pas mbledhjes së 7-të të Qeverisë
***
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot e votuam, siç e theksoi edhe Kryeministri, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili në fakt përbën një prej shtyllave kryesore të reformës së thellë për të cilën jemi zotuar në fushën e Drejtësisë.
Ky Projektligj, i cili synon themelimin e një mekanizmi të veçantë i cili është Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilën për herë të parë e patëm miratuar në Qeveri në dhjetor 2021, pra gjatë vitit të parë të mandatit të Qeverisë Kurti 2.
Projektligjit i patë paraprirë në prill 2021, pra më pak se 1 muaj pas marrjes së detyrës si Qeveri, Koncept-Dokumenti në këtë fushë.
Më lejoni ta shfrytëzoj këtë mundësi që të falënderoj ish-Ministren e Drejtësisë, Kryetaren e tashme të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, dhe ekipin e saj për punën kolosale në këtë fushë.
Pra, nisma e tillë nuk është e re, është një rrugëtim maratonik pothuajse 5 vjeçar, rezultat i një procesi disa vjeçar, në kuadër të reformave për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit.
Projektligji ndërkohë ka marrë tre opinione të Komisionit të Venedikut dhe dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese.
Por, të kthehemi pak prapa në kohë. Pas miratimit të tij në Qeveri në vitin 2021, me t’u proceduar në Kuvend, atë kohë Kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufuca, patë marrë parasysh rëndësinë e këtij Projektligji, kishte dërguar kërkesën për opinion në Komisionin e Venedikut. Ky veprim i përgjegjshëm institucional tregon qasjen serioze të Republikës së Kosovës për forcimin e shtetit ligjor dhe për trajtimin dhe harmonizimin e nismës së tillë me standardet evropiane.
Komisioni i Venedikut, në Opinionin e parë të datës 20 qershor 2022, e pati konfirmuar se konfiskimi civil pa aktgjykim dënues penal është i pranueshëm në parim dhe përputhet me praktikat evropiane, por patë kërkuar atëherë qartësi më të madhe në qëllimin publik të ligjit, garanci të forta për pavarësinë e institucionit, standard të qartë prove dhe mbrojtje efektive të të drejtave themelore.
Këto rekomandime janë reflektuar në tekstin e Projektligjit. Po ashtu, gjatë gjithë këtij procesi, Projektligji është punuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë konsultime teknike dhe analiza krahasimore për të siguruar që dispozitat të jenë të zbatueshme, proporcionale dhe të mbrojtura me kushtetutë.
Pas integrimit të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, Ligji u dërgua në Kuvend dhe u miratua nga Kuvendi më 9 shkurt 2023.
Megjithatë, në Gjykatën Kushtetuese u dërgua nga ana e disa deputetëve të opozitës dhe qëndroi një vit e 5 muaj deri në korrik 2024, dhe pas gjithë kësaj kohe të gjatë Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë ligj.
Por, keni parasysh Gjykata nuk e rrëzoi konceptin e konfiskimit civil si të tillë, pikërisht aty ku ishin përqendruar kritikat më të forta të kundërshtarëve të ligjit. Përkundrazi, ajo konfirmoi se konfiskimi civil është një mjet legjitim për mbrojtjen e interesit publik, por kërkoi qartësi më të madhe në dispozita, proporcionalitet në ndërhyrje dhe respektim strikt të ndarjes së pushteteve.
Pas marrjes së Aktgjykimit, Projektligji nuk është hartuar nga e para, por janë rishikuar dhe korrigjuar dispozitat konkrete për të cilat Gjykata Kushtetuese mendonte të ketë konstatuar mospërputhje.
Çështjet kryesore të adresuara përfshijnë fushëveprimin dhe retroaktivitetin e ligjit, pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave Byroja Shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar, por gjithashtu përfshin edhe përbërjen e Komisionit Mbikëqyrës, në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve.
Edhe pse i miratuar disa herë, na duhet ta dërgojmë përsëri për votim në Kuvend si pasojë e Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të datës 9 janar 2026, i cili ka shfuqizuar ligjin për shkaqe procedurale, i miratuar në Kuvend me 5 janar 2024.
Si rrjedhojë, më lejoni që në mënyrë të përmbledhur dhe të qartë, ta paraqes edhe një herë strukturën dhe qëllimin e tij pas të gjitha ndërhyrjeve dhe rishikimeve që janë bërë.
– Objektivat e këtij ligji janë të qarta. Ligji krijon një mekanizëm funksional dhe kushtetues për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë. Ai nuk synon të zëvendësojë procedurat penale dhe as të krijojë një strukturë paralele me Prokurorinë apo Gjykatat. Përkundrazi ndërton një proces civil të kontrolluar plotësisht nga Gjykata ku Byroja ka rol përgatitor dhe analitik: mbledh, verifikon dhe paraqet provat, por nuk merr vendime për konfiskim. Vendimin përfundimtar e merr ekskluzivisht Gjykata me garanci të plota procedurale dhe nëse konstatohet disproporcion i pajustifikuar i pasurisë, konfiskimi bëhet vetëm me një vendim gjyqësor.
– Në thelb, ky ligj synon të krijoj mekanizëm të qëndrueshëm llogaridhënieje, duke adresuar rastet kur pasuria e zyrtarëve publikë nuk përputhet me të hyrat e tyre të ligjshme.
– Ai vendos theksin te analiza financiare, te standardi civil i provës dhe te roli përfundimtar i Gjykatës. Në këtë mënyrë ndërtohet një balancë e qartë mes interesit publik për të luftuar korrupsionin dhe detyrimin për të respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale.
Ju faleminderit!