Kosova merr nën kontroll objektet dhe pronat në veri, MIT-i: Ishin të uzurpuara nga strukturat serbe
Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” me asistencë të zyrtarëve policorë të Kosovës kanë rikthyer mëngjesin e sotëm stacionin hekurudhor në Zveçan dhe atë në Leposaviq tek institucionet kosovare duke vendosur tabela “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës” dhe flamurin shtetëror në këto institucione.
Zyrtarët policorë në Zveçan kanë deklaruar se kanë asistuar gjatë marrjes në kontroll të ndërtesës së stacionit, ndërsa bëhet e ditur se para objektit vazhdojnë të qëndrojnë disa zyrtarë dhe automjete policore.
Këto hapësira i kanë vizituar ministrat në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Dimal Basha, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli.
Sveçla, në një deklaratë për media, tha se bëhet fjalë për marrjen nën kontroll të një tjetër, siç e quajti ai, “institucioni paralel të Serbisë në Kosovë”, duke shtuar se është planifikuar edhe revitalizimi i këtij stacioni.
“Kjo është një nga institucionet e fundit paralele dhe ilegale të Serbisë në Kosovë dhe do të vazhdojmë të veprojmë nëse zbulojmë edhe ndonjë tjetër. Ky objekt do të jetë pjesë e projektit për rindërtimin e të gjithë rrjetit hekurudhor të Kosovës”, theksoi Sveçla.
Po ashtu në një gjë e tillë u bë edhe në Leposaviq, ku u vendos tabela e ndërmarrjes shtetërore dhe flamuri shtetëror në stacionin hekurudhor atje, rreth orës 8 të mëngjesit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka bërë të ditur se nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike “Infrakos” të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Sipas Ministrisë, të gjitha këto objekte deri më tani “ishin të uzurpuara nga strukturat ilegale paralele serbe”.
“Ky aksion është realizuar në koordinim të plotë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe ndërmarrjen publike Infrakosi, dhe përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e rendit institucional, shtrirjen e autoritetit shtetëror dhe mbrojtjen e aseteve strategjike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës.
“Segmenti hekurudhor në veri është pjesë strategjike e Korridorit X, që lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit, duke rritur potencialin ekonomik dhe integrimin infrastrukturor të vendit”, thuhet tutje në njoftim.
MIT-i shton se me mbështetjen e kryeministrit, mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjshmërisë, rikthimin e pronës publike nën kontroll institucional dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Infrastruktura hekurudhore në Zveçan bën pjesë në Linjën 10 të Korridorit Orient/Lindje-Mesme, që shtrihet nga Hani i Elezit deri në kufi me Serbinë. Stacioni hekurudhor i Zveçanit gjendet në pjesën veriore të Kosovës, por aktualisht segmenti i linjës në këtë zonë (përfshirë pjesën Mitrovicë-Leshak) është jofunksional për shërbimet e udhëtarëve të menaxhuara nga Kosova.
Kilko VIDEO

