Mickoski: Investimi në largpërçuesin Manastir–Elbasan do të thotë projekt i shpëtuar nga dështimi i sigurt
Të nderuar miq,
Të nderuar mysafirë,
Të nderuar qytetarë,
Sot nuk po flasim vetëm për një projekt infrastrukturor. Sot flasim për diçka shumë më të madhe – për lidhjen, për stabilitetin dhe për të ardhmen e dy shteteve brenda familjes energjetike evropiane.
Largpërçuesi i interkonjeksionit Manastir–Elbasan nuk është një largpërçues i zakonshëm. Ai është simbol i një zbrazëtirë të mbyllur, e cila për vite me radhë qëndroi si pengesë në rrugën tonë. Korridori 8, i cili duhet të jetë arterie e ekonomisë, për një kohë të gjatë kishte një ndërprerje në rrjetin e tij energjetik. Sot, me këtë projekt, ajo zbrazëtirë më në fund po mbyllet.
Me ndërtimin e këtij largpërçuesi 400 kilovoltësh, të gjatë rreth 100 kilometra, ne po vendosim lidhjen e fundit energjetike që mungonte me fqinjët tanë. Për herë të parë, bëhemi plotësisht të lidhur me të gjitha sistemet elektroenergjetike fqinje. Kjo do të thotë më shumë siguri për qytetarët, më shumë stabilitet për ekonominë dhe më shumë mundësi për zhvillim.
Në energjetikë nuk ka sisteme të izoluara. Nuk ka qarqe të mbyllura. Çdo sistem merr frymë bashkë me të tjerët. Pikërisht për këtë, ky interkonjeksion nuk është vetëm një projekt nacional – ai është pjesë e rrjetit energjetik evropian. Ai nënkupton balancë, siguri dhe aftësi për të integruar burime të reja të energjisë, ku fokus të veçantë po u vendosim burimeve të rinovueshme, të cilat janë e ardhmja.
Por, ky projekt nuk ishte i lehtë. Përkundrazi – ishte një nga më kompleksët me të cilët jemi ballafaquar.
Kredia ishte siguruar që në vitin 2015. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2020. Ndërsa realizimi – pothuajse joekzistent. Në vend të aktiviteteve ndërtimore, vitet u shpenzuan në negociata, shtyrje dhe përpjekje për ndryshimin e çmimeve. Ishte blerë vetëm një pjesë e pajisjeve, pa asnjë progres substancial në terren.
Dhe këtu qëndron diferenca thelbësore.
Ne nuk lejuam që ky projekt të mbetet edhe një tjetër mundësi e humbur. Morëm një vendim të guximshëm, por të domosdoshëm – të shkëputet kontrata e cila nuk jepte rezultate. Vendimi u mor pas një analize të thellë, me mbështetje forenzike, me konsulentë ndërkombëtarë dhe në koordinim me BERZH-in.
E mbrojtëm shtetin. E ruajtëm investimin. Më shumë se gjysma e pajisjeve të blera tashmë mbeten në pronësi dhe do të shfrytëzohen. Nuk lejuam që të humbet asnjë ditë më shumë, asnjë euro apo denar të shpenzohet anash.
Më pas vijoi pjesa më e vështirë – rinisja e projektit që për vite me radhë kishte mbetur në vendnumëro.
U përballëm me sfida juridike, teknike dhe organizative. Me çështje pronësore-juridike. Me nevojën për harmonizim me standardet ndërkombëtare dhe rregullat FIDIK. Me obligim për ta rikthyer projektin në jetë pa humbur resurset e investuara tashmë.
Dhe në këtë qëllim patëm sukses.
Përmes një procedure transparente përmes sistemit të BERZH-it, zgjodhëm kontraktorin e ri, në përputhje me standardet më të larta evropiane. Kjo është garanci se këtë herë – punët do të lëvizin dhe nuk do të stagnojnë.
Ky projekt sot është shpëtuar. Është rinisur. Është vendosur mbi themelet e shëndosha.
Por, më shumë se aq – ky projekt është edhe një mesazh.
Mesazh se si dy vende mund të bashkëpunojmë dhe të marrim vendime të vështira së bashku.
Mesazh se dimë t’i përmirësojmë gabimet e së kaluarës.
Mesazh se dimë të ndërtojmë të ardhmen.
Me këtë projekt, ne nuk po ndërtojmë vetëm një lidhje energjetike. Ne po ndërtojmë besim te investitorët, te partnerët dhe te qytetarët.
Po ndërtojmë pozicionin e një partneri stabil dhe të sigurt të Evropës.
Prandaj, sot, kur flasim për Manastir–Elbasan, nuk flasim vetëm për kabllo dhe shtylla. Flasim për energjinë që do të lëvizë ekonominë. Flasim për stabilitetin që do të mbrojë qytetarët. Flasim për të ardhmen që do ta ndërtojmë së bashku.
Po vjen koha kur Maqedonia nuk do të jetë në periferi të rrjedhave energjetike, por në qendër të tyre.
Dhe kjo kohë – fillon tani.
Ju faleminderit.

