Shtrenjtohet sërish dizeli, ja çmimet e reja që hyjnë në fuqi
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) ka sjellë vendimin e ri për çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të jenë aktive nga mesnata (07.04.2026). Sipas këtij vendimi, çmimet e shitjes me pakicë rriten mesatarisht për 1,41%.
Nga dita e nesërme, çmimet maksimale do të jenë:
EUROSUPER BS – 95: 83,50 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98: 85,50 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-E V): 98,00 (denarë/litër)
Vaj Ekstra i Lehtë (EL-1): 95,50 (denarë/litër)
Mazuti M-1 NS: 51,311 (denarë/kg)
Pse u shtrenjtuan karburantet?
Rritja vjen si pasojë e lëvizjeve në tregjet botërore, ku çmimet referencë janë rritur mesatarisht:
Benzina me 4,08%
Dizeli me 10,13%
Vaji ekstra i lehtë me 11,36%
Gjithashtu, kurs i denarit në raport me dollarin është rritur për 0,27%.
Ndërhyrja e shtetit: Pa masat lehtësuese, dizeli do të kushtonte 110 denarë
KRRE sqaron se në çmimet aktuale janë përfshirë shkalla e reduktuar e TVSH-së (10%) dhe akcizat e ulura. Nëse nuk do të bëhej kjo ndërhyrje, qytetarët do të paguanin çmime shumë më të larta:
Benzina do të ishte 92,00 denarë (8,5 denarë më shtrenjtë).
Dizeli do të arrinte në 110,00 denarë (12 denarë më shtrenjtë se çmimi i sotëm).
Rregullatori u ka bërë thirrje kompanive private të naftës që të vazhdojnë praktikën e kalkulimit të zbritjeve prej 2 deri në 3 denarë për litër, në bashkëpunim me furnizuesin kryesor OKTA, për të lehtësuar barrën financiare mbi qytetarët.

