RajoniTop Lajme

Haradinaj mbështet studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Një protestë për dinjitetin e shqipes

Shpërndaje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar atë si një reagim të fuqishëm ndaj cenimit të të drejtave themelore.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se protesta përbën “një thirrje të fortë ndërgjegjeje për të gjithë ata që ndërhyjnë në politika që nuk u takojnë, duke përçarë dhe dobësuar faktorin shqiptar, aty dhe kudo”.

Ai ka theksuar se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është e garantuar dhe nuk duhet të vihet në diskutim.

“E drejta themelore për gjuhën shqipe, e garantuar me kushtetutë, nuk duhet të cenohet nga askush. Çdo përpjekje për ta prekur është shkelje flagrante e të drejtave”, ka shkruar Haradinaj.

Duke u rreshtuar në përkrahje të studentëve, ai ka shtuar se sot të gjithë janë një me ta në kërkesat e tyre.

“Sot jemi një me studentët, në qëndresën e tyre dhe në kërkesat e tyre legjitime. Një për gjuhën shqipe”, thuhet në reagim.

Haradinaj ka paralajmëruar se çdo pengesë ndaj gjuhës shqipe do të gjykohet nga historia.

“Kujtdo që i ka penguar kjo gjuhë, historia nuk do t’ia falë. Me studentët!”, ka shtuar ai.