MaqedoniTop Lajme

Arben Fetai: Ligji i ri vendos fund keqpërdorimeve në përfaqësimin etnik

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e cilësuar si hap historik për rikthimin e drejtësisë dhe barazisë reale në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Për vite me radhë, parimi i përfaqësimit të drejtë është keqpërdorur përmes mekanizmave të paqarta, duke u kthyer në instrument të kalkulimeve politike,” tha Fetai. Ai shtoi se i ashtuquajturi “balancues”, që duhej të garantonte barazi, në praktikë u shndërrua në mjet manipulimi dhe punësimesh të motivuara nga interesa të ngushta partiake.
Ligji i ri, sipas Fetait, mbyll zbrazëtitë juridike dhe vendos standarde të qarta, të detyrueshme dhe transparente për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ky është një hap drejt institucioneve që reflektojnë realisht përbërjen e shoqërisë dhe funksionojnë mbi bazën e drejtësisë dhe barazisë.
Fetai nënvizoi se zbatimi i plotë i këtij ligji do të tregojë se epoka e keqpërdorimeve dhe manipulimeve me përfaqësimin adekuat i përket së kaluarës.