Irani ‘godet’ dollarin: Kush kalon në Hormuz duhet të paguajë me monedhën tonë!
Detaje të reja kanë dalë nga lëvizja e fundit e Iranit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më strategjike në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të transportuar me anije.
Sipas mediave ndërkombëtare dhe deklarimeve nga zyrtarë iranianë, Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Parlamentin e Iranit ka miratuar një propozim që parashikon vendosjen e tarifave të tranzitit për anijet që kalojnë në këtë rrugë detare, me pagesat që do të kryhen në monedhën kombëtare iraniane, rial.
Propozimi shihet si një lëvizje me peshë të madhe ekonomike dhe gjeopolitike, pasi synon të reduktojë varësinë nga dollari dhe të forcojë kontrollin financiar të Teheranit mbi një nga pikat më të ndjeshme të tregtisë globale.
Mediat e huaja raportojnë se drafti përfshin jo vetëm tarifimin e kalimit, por edhe kufizime për anijet amerikane, izraelite dhe për shtetet që zbatojnë sanksione ndaj Iranit. Në disa raportime përmendet edhe një tarifë që mund të arrijë deri në 2 milionë dollarë për anije, megjithëse mekanizmi final ende mbetet në fazë propozimi.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet arteria kryesore e furnizimit energjetik global, pasi lidh Gjirin Persik me detin Arabik. Çdo vendim që prek lëvizjen e anijeve aty ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare.
Analistët ndërkombëtarë e shohin këtë hap si një sinjal të qartë politik nga Teherani, në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas përplasjeve të fundit me SHBA-në dhe aleatët e saj.
Nëse miratohet përfundimisht, masa mund të sjellë reagime të forta nga fuqitë perëndimore dhe nga vendet eksportuese të naftës, për shkak të ndikimit të mundshëm në tregjet globale të energjisë.

