RajoniTop Lajme

Kurti për vdekjen e Eliot Engelit: Ai ishte ndër zërat e hershëm në mbështetje të Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të kongresmenit amerikan Eliot Engel, mik i madh i Kosovës.

Kurti theksoi se Engel, për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ishte një mbështetës i palodhur i çështjes kosovare, duke e ngritur atë në institucionet më të larta amerikane.

Postimi nga KURTI:

Dje mori rrugën e amshimit miku i madh i kombit tonë dhe kongresmeni i shquar Eliot Engel.
Për më shumë se tri dekada në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikanë dhe një zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut. Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Ai ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës, në ditët kur drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri.
Takimet me të ishin gjithmonë të mbushura me vëmendje dhe interes të sinqertë për të ardhmen e vendit tonë. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë zë pikërisht kongresmeni Engel. Ai përfaqësonte bindjen se liria dhe të drejtat e njeriut janë themel i çdo shoqërie demokratike. Mirënjohja jonë për kontributin e tij në kauzën tonë kombëtare do të mbetet e përhershme.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirëve të kongresmenit.