Kurti e Abdixhiku takohen sërish të hënën, Haxhiu thërret për kompromis
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që gjatë javës në vijim të intensifikojnë takimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri, para afatit të 28 prillit. Thirrja e saj u bë një ditë para takimit të pestë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili do të mbahet të hënën në Kuvend
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë ftesë të dielën për intensifikim të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e presidentit.
Ajo ka theksuar se kjo është javë vendimtare dhe se mirëpret çdo lëvizje të partive drejt kompromisit.
Nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Por, në qoftë se ka vullnet mund të kryhet brenda shumë pak orësh. Prandaj i ftoj edhe sot, këtë të diel, që javën qe e kemi para nesh ta shfrytëzojnë me takime dhe të cilat uroj të përmbyllen me një konsensus sa i përket emrit të presidentit”, ka thënë Haxhiu.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përmbyllet më 28 prill.
E në funksion të kësaj çështje, për të hënën është paralajmëruar takimi i pestë mes kryetarit të Vetëvendosjes, njëherësh kryeministër Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku. Takimi do të mbahet në ambientet e Kuvendit në orën 11:00.
Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë që janë të gatshëm për kompromis, megjithatë pret që në ditët e fundit të afatit kushtetues, palët të jenë më konkrete.
“Natyrisht duhet të kalojmë në propozime konkrete të emrave të zgjidhjes së problemit që na çon në drejtim të zgjedhjes së presidentit apo presidentes. Ashtu siç kemi biseduar në grupin parlamentar, nuk do të ketë asnjë problem që e pengon këtë proces sa i përket LVV-së. Ne jemi të bindur se duhet të zgjidhet presidenti”, ka thënë Rexhaj.
Megjithatë, analisti politik, Afrim Kasolli, vlerëson se gjasat për një marrëveshje mbeten të vogla.
Ai këtë e ka bazuar në atë që e ka quajtur “lojë me dy karta” të partive.
“Krahas përpjekjeve formale do të thotë gjoja për gjetjen e një emri për president, në prapaskenë, nëse mund të quhet kështu po shohim një përpjekje reale nga Lëvizja Vetëvendosje, investim, që të jetë e gatshme edhe sa i përket narracionit të saj eventual për zgjedhjet e jashtëzakonshme, ne kemi parë do të thotë ditëve të fundit, sidomos në seancën e fundit, miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së pandershme që ka qenë njëra ndër temat kryesore që e plotësonte tregimin e madh të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Kasolli.
Kasolli ka theksuar se e njëjta qasje po ndiqet edhe nga LDK-ja.
“Gatishmëria e tyre për t’u shfaqur para opinionit se kanë vullnet të plotë për një kompromis politik për temën e presidentit. Mirëpo, ne po i shohim në anën tjetër ristrukturimet e brendshme në kryesinë e LDK-së dhe po ashtu indikatorët që po japin një lloj vullneti gjithnjë e më të hapur të disa prej strukturave kryesore, të lidhura kryesisht me liderin e këtij subjekti politik Lumir Abdixhiku, për t’ia rihapur derën Vjosa Osmanit”, ka thënë ai.
Nëse deputetët dështojnë ta zgjedhin presidentin e ri deri më 28 prill, vendi shkon në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

