MaqedoniTop Lajme

Deputetët të mos kenë shtetësi të dyfishtë! LSDM e mbështet propozimin e VMRO-së, FE kundër

Shpërndaje

Kuvendi i miratoi ndryshimet e Ligjit për deputetët, me të cilat në të ardhmen përfaqësuesit e popullit nuk do të mund të kenë shtetësi të dyfishtë. Kjo nismë u dorëzua nga VMRO-DPMNE pas vërejtjeve të opozitës LSDM se disa deputetë të pushtetit kanë edhe shtetësi bullgare. Antonio Milloshoski tha se pas miratimit të këtij ligji, ai do të hyjë menjëherë në fuqi, pra do të vlejë edhe për këtë përbërje parlamentare.

“Për të qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë, secili do të duhet të ketë vetëm shtetësinë e Maqedonisë. Ky ligj është planifikuar të hyjë në fuqi me ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare, që do të thotë se nëse miratohet, do të vlejë edhe për këtë përbërje parlamentare, pra deputetët që kanë shtetësi të dyfishtë nuk do të mund të jenë deputetë në Kuvendin e Maqedonisë”, tha Antonijo Milloshoski.

Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe dyshon që kjo nuk do të vlejë për deputetët aktualë dhe për këtë arsye do të dorëzojnë amendamente për ta saktësuar që të vlejë edhe për përbërjen aktuale parlamentare. Ai tha se do të propozojnë ligj që të mos ketë shtetësi të dyfishtë edhe për funksionarët e tjerë.

“Një mashtrim klasik i pushtetit, propozohet ligj për shtetësinë e deputetëve dhe thuhet se deputetët nuk mund të kenë shtetësi të dyfishtë dhe kjo është mirë, por askund nuk thuhet qartë se kjo do të vlejë edhe për këtë përbërje aktuale parlamentare. Prandaj këtë ligj do ta mbështesim dhe do të reagojmë me amendamente”, deklaroi Venko Filipçe.

Skender Rexhepi nga Fronti Evropian është kundër, duke thënë se kjo zgjidhje është e paligjshme dhe antikushtetuese.

“E dimë se qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe në kohën e Jugosllavisë kanë jetuar së bashku me shqiptarët e Kosovës dhe e dimë se shumë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut që kanë shtetësi të Republikës së Kosovës sigurisht që e kanë këtë të drejtë të kandidojnë edhe për deputetë dhe me këtë ligj kjo u pamundësohet këtyre qytetarëve”, u shpreh Skender Rexhepi

Për këtë propozim reagoi edhe kryetarja e PLD-së Monika Zajkova, e cila tha se ligji duhet të vlejë menjëherë dhe pa përjashtime për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar.